Dy shtetas italianë janë arrestuar në qytetin e Elbasanit, pasi kishin kontrabanduar dhe shitur nëpërmjet mashtrimit, ar të rremë me vlerë 200 000 euro.
Fortunato Maddaloni 67 vjeç banues në Napoli dhe Riccardi Gennario 76 vjeç banues në Milano, u vunë në pranga në flagrancë në një argjendari, teksa po tentonin që të shisnin përsëri ar të rremë.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dy italianët kanë shitur ar në formë kokrrizash në Tiranë dhe Podgoricë, gjatë periudhës qershor-gusht 2022.
Materiali që këta shtetas kanë shitur ka rezultuar më pas, i përzier me metale të tjera.
Dy shtetasit italianë kishin mbërritur disa kohë më parë në Shqipëri dhe mashtronin argjendaritë duke iu dhënë si provë fillimisht ar të pastër.
Pasi lidhnin marrëveshjen, ata i shisnin atyre arin në formën e kokrrizave të përzier me metale të tjera.
Gjatë operacionit, Policia gjeti 3 kilogramë ar të dyshuar si i rremë, 160 gramë ar i pastër, 4 aparate celularë, 1500 Euro dhe 150 franga zvicerane.
Operacioni policor i koduar “Fake Gold” u finalizua nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan.