Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti i ndodhur sot në mëngjes në Malin e Robit në Kavajë, ku një nënë e re, 34-vjeçarja Edlira Pisku dhe vjehrri i saj 69-vjeçari Xhemil Pisku u përplasën për vdekje, ndërsa u plagos edhe djali i Edlirës 8-vjeçar.
Ndonëse fillimisht policia deklaroi se shkaktarja e aksidentit ishte drejtuesja e mjetit, një vajzë 30-vjeçare, ngjarja është krejt ndryshe.
Dyshohet se personi që ka shkaktuar aksidentin është Halil Koka.
Dy ditë më parë policia i kishte bllokuar patentën për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Dyshohet se shtetasi Halil Koka, 40 vjeç, i ka kërkuar të dashurës së tij, Ilda Prroi, të merrte përsipër fajin, me pretendimin se do ta ndihmonte.
Por versionin e Kokës e kanë rrëzuar dëshmitë e marra nga policia e Kavajës në vendngjarje.
Dëshmitarët kanë treguar për policinë se ishte një mashkull ai që drejtonte makinën.
Pas dyshimeve, policia i shoqëroi të dy të rinjtë në komisariat dhe i mori në pyetje për disa orë.
Nuk dihet se kush prej tyre, djali apo vajza treguan të vërtetën, por tashmë ata janë të dy nën akuzë, Koka si shkaktar i një aksidenti me pasojë vdekjen dhe e dashura e tij për dëshmi të rreme.
Ngjarja
69-vjeçari Xhemil Pisku dhe 34-vjeçarja Edlira Pisku dhe djali 8 vjeç kanë qenë në ministacion duke pritur autobusin të shkojnë në Berat, kur “Toyota” ka dalë nga rruga duke i marrë para.
Nga aksidenti gjetën vdekjen vjehrri dhe nusja, ndërsa djali 8-vjeçar ndodhet në spital.