Politika Deklaratat e Ramës nga Berati për ndihmën ekonomike, Basha: Mos e lejoni...

Deklaratat e Ramës nga Berati për ndihmën ekonomike, Basha: Mos e lejoni t’u kërcënojë me bukën e fëmijëve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi pwr deklaratat e kryeministrit Edi Rama nga Berati, ndërsa akuzoi kreun e qeverisë  se gënjen kur thotë shqiptarët refuzojnë vendet e punës dhe kërkojnë ndihmë ekonomike.

Në një dalje për mediat, Basha tha se heqja e ndihmës ekonomike për 19 mijë familje është një vepër kriminale.

“Rama e bën këtë gënjeshtër për t’i shpëtuar një fakti të dhimbshëm dhe përgjegjësie të Edi Ramës. E para nuk ka vende pune, ekonomia në krizë, fryma armiqësore ndaj biznesit, TVSH që tani pritet t’i vihet mbi shpinë sipërmarrjes së vogël. Nuk ka vende pune në Berat, në asnjë vend, asnjë qytet të Shqipërisë. Përkundrazi, vendet e punës po mbyllen. Shumica dërrmuese e këtyre familjeve nuk kanë asnjë mundësi tjetër përveç ndihmës ekonomike. Ku janë këto vendet e punës që nuk i marrin shqiptarët, se pranokan më mirë dy thasë miell se sa 300-400 mijë lekë në një vend normal pune. Sigurisht që nuk janë dhe nuk janë as në fantazinë e Edi Ramës. Ai abuzon dhe fsheh të vërtetën dhe kjo është një vepër kriminale”, tha Basha.

Protestat do të ketë tha Basha, teksa u bëri thirrje shqiptarëve të mos kërcënohen me bukën e gojës së fëmijëve.

“Mos e lejoni t’u kërcënojë me bukën e fëmijëve tuaj, merreni fatin tuaj në dorë e mos lejoni të vazhdojë kjo farsë e shëmtuar. Ne nuk do t’i ndahemi asnjë sekondë kësaj emergjence. Përballja do të jetë në Parlament e kudo, ndaj i bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë në nevojë ekstreme mos t’i nënshtrohen fatit, të ngrenë zërin”, tha Basha.