Kryesore Shkalla e ulët e vdekshmërisë nga koronavirusi në Gjermani intrigon ekspertët

Shkalla e ulët e vdekshmërisë nga koronavirusi në Gjermani intrigon ekspertët

Shkalla relativisht e ulët e vdekshmërisë në Gjermani vazhdon të intrigojë ekspertët, ndërsa Covid-19 përhapet në të gjithë Europën, ku disa vënë në dyshim metodologjinë që qëndron pas mbledhjes së të dhënave, ndërsa të tjerët argumentojnë se nivelet e larta të testimit në vend lejojnë një llogaritje më të saktë të kërcënimit të paraqitur nga koronavirusi, shkruan “The Guardian”.

Ndërsa pandemia ka goditur Gjermaninë, universiteti, Johns Hopkins vuri në dukje se nga 22 364 raste të konfirmuara deri të dielën në mëngjes, janë raportuar vetëm 84 viktima.

Kjo do të thotë se aktualisht Gjermania ka shkallën më të ulët të vdekshmërisë nga 10 vendet më të goditura nga pandemia, 0,3% krahasuar me 9% në Itali dhe 4,6% në Britaninë e Madhe.

Kontrasti me Italinë është veçanërisht befasues sepse të dy vendet kanë përqindjen më të lartë të qytetarëve të moshës mbi 65 vjeç në Europë. Indeksi Global i Shëndetit “Bloomberg” sugjeron se italianët kanë mënyrë jetese më të shëndetshme sesa gjermanët.

“Është shumë herët për të thënë nëse Gjermania është më mirë e përgatitur nga pikëpamja mjekësore për pandeminë Covid-19 sesa vendet e tjera”, deklaroi Marylyn Addo, e cila drejton departamentin e infeksionologjisë në Qendrën Mjekësore Universitare të Hamburgut.

Addo sugjeroi se një shpjegim i mundshëm për mospërputhjen në shifra, ishte se ndërsa spitalet e Italisë në veri po mbushen me pacientë të rinj, ato në Gjermani nuk janë të mbushur plotë dhe stafi ka pasur më shumë kohë për të pastruar shtretërit, të marrë rezerva për pajisjet dhe të rishpërndajë personelin.

Gjithashtu një tjetër pikë e rëndësishme është se Gjermania filloi të testonte herët edhe qytetarë me simptoma më të lehta, që do të thotë se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara mund të japë një pamje më të saktë të përhapjes së virusit.

Sipas Shoqatës Kombëtare të Mjekëve Ligjorë të Sigurimeve Shëndetësore në Gjermani, vendi ka mundësi të kryejë rreth 12 000 teste për Covid-19 në ditë, ndërsa Lothar Wieler, presidenti i Institutit Robert Koch (RKI), pohoi se ka mundësi për 160 000 teste në javë.

Në dallim nga Italia, në Gjermani aktualisht nuk ka një test për koronavirusin që kryhet pas vdekjes. RKI thotë se ata që nuk janë testuar për Covid-19 gjatë periudhës kur kanë qenë gjallë, por dyshohet se janë infektuar me virusin, mund të testohen pas vdekjes. Megjithatë, në sistemin e shëndetit të decentralizuar të Gjermanisë kjo nuk është ende një praktikë rutinë.

Si rezultat, është teorikisht e mundur të ketë persona të cilët mund të kenë vdekur në shtëpi para se të testoheshin dhe nuk figurojnë në statistika.