Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla i ka dalë në mbrojtje ministrit në detyrë për Integrimin dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në lidhje me vendimin për shkarkimin e 20 diplomatëve në shërbimin diplomatik.
“Duhet ta keni në praktikën tuaj se ky është komisioni që do keni punën shumë intensive në javët në vijim por jo vetëm kur ju kërkon komisioni por në frymën e ligjit duhet të jeni edhe ju i gatshëm t’i drejtoheni komisionit për konsultime. Ky është një proces që nuk mund ta kryejë vetëm qeveria, por në bashkëveprim me Kuvendin e Shqipërisë.
Ky komision është një komision që drejtohet nga opozita, do vazhdojë të drejtohet nga opozita. Sa më shumë hapësirë për opozitën në këto procese konsultimi, aq më e mirë është edhe vendimmarrja. Ju lutem në mënyrë të vazhdueshme edhe me shkresa dhe informacion të mbahet i informuar komisioni. Ju lutem mos u kompleksoni nga kritikat dhe sulmet që vijnë nga opozita, në formën më pozitive nga zonja Hajdari dhe më negative nga ish-deputetë për ndryshimet në trupën diplomatike. Mua më duken pak 20. Jemi larg shërbimit konsullor, i cili t’ju shërbejë siç duhet motrave dhe vëllezërve tanë”, deklaroi Balla.