Sport Shkarkimi i Panuccit, Duka: Mund të bëhej edhe më parë

Shkarkimi i Panuccit, Duka: Mund të bëhej edhe më parë

Humbja e Kombëtares kuqezi me Turqinë në kualifikueset e “Euro 2020” solli shkarkimin e trajnerit Panucci. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka shpjegoi arsyet e marrjes së këtij vendimi, duke pranuar se ai mund të ishte marrë edhe më herët.

“Ishte një vendim që mund të ishte marrë edhe më herët, por nuk kishim kohë për të gjetur një trajner të ri. E takova pas ndeshjes, i shpjegova se situata është e vështirë dhe se ai nuk mund të motivonte më lojtarët, kështu që ndërpremë bashkëpunimin. Megjithatë, Panucci ka punuar në Shqipëri ddhe unë duhet ta falënderoj për këtë bashkëpunim”, tha Armand Duka, president i FSHF-së.

Mbrëmjen e së premtes, në shkallët e “Loro Boriçit” u pa Edy Reja, ish-trajneri i disa skuadrave të Serie A. Shumë shpejt u fol se do të ishte ai pasuesi i Panuccit, por si Reja, ashtu dhe Duka mohuan gjithçka.

“Nuk kam njohje me Edy Rejan, e takova rastësisht në tribunat VIP dhe më tha se kishte ardhur për të vëzhguar futbollistët e të dyja skuadrave, por pa pasur objektiv për të qenë trajner i Kombëtares shqiptare. Kemi pasur oferta të shumta, siç ndodh në raste të tilla, por në këtë moment duhet të mendojmë për ndeshjen me Andorrën”, tha Armand Duka.