Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas verifikimeve të kryera ka vendosur të shkarkojë nga detyra këtë të hënë kryetaren e Gjykatës së Tiranës, Enkelejdi Hajro. Rivlerësimi për Hajron u bë në tre kriteret; atë të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale.
Sipas raportit të ILDKPKI, gjyqtarja nuk ka kryer deklarim të saktë të pasurisë, nuk ka burime të ligjshme për krijimin e pasurisë.
Ndërsa nga ana tjetër, parregullsi sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, janë konstatuar edhe tek disa vendime të gjyqtares të cilat janë të zvarritura në kohë.
KPK ka shkarkuar edhe kryetarin e Gjykatës së Apelit Civil në qytetin e Shkodrës, Fuat Vjerdha. Gjyqtari i Shkodrës ishte një nga dy gjyqtarët që votuan kundër rrëzimit të burgimit të përjetshëm për Dritan Dajtin.
Denoncimet mbi uljen e dënimit të një çifti të akuzuar për mashtrim në shuma të mëdha dhe pafajësia për dy zyrtarë të akuzuar për shpërdorim detyre, ishin problemet kryesore me të cilat u përball gjatë seancës dëgjimore Vjerdha. Parregullsi këto që dërguan edhe në shkarkimin e tij.