Ndodh e papritura. Përdoruesit e Twitter votuan në shumicë për largimin e Elon Musk nga posti i drejtorit ekzekutiv të platformës së rrjeteve sociale, në një sondazh që u krijua nga vetë miliarderi.
Sipas rezultateve, 57% e të pyeturve që morën pjesë në këtë anketë ishin pro largimit të tij nga posti kyç që ka në rrjetin social që e bleu për 44 miliardë dollarë disa muaj më parë.
Edhe pse u doli me flamurin e mbështetjes së fjalës së lirë, Musk u përball me shumë kritika nga ndjekësit e Twitter për disa nga vendimet e tij, mes të cilave ajo e largimit të shumë drejtuesve të platformës apo pezullimin e llogarive të disa gazetarëve kritikë.
Deri në këto momente nuk ka një reagim të Musk për rezultatet e sondazhit, të cilat edhe pse mund ta largojnë si shef ekzekutiv, nuk mund ta largojnë nga pronësia mbi Twitter.
Në të kaluarën, shefi i Tesla i ka respektuar të gjitha vendimet e dala nga sondazhet e realizuara në Twitter.