Ardian Braho, prokurori i cili hetoi vrasjen e Klodian Rashës, u shkarkua këtë të hënë nga shkalla e parë e vetingut.
Me shumice votash, 2 pro dhe 1 kundër, Braho u shkarkua për probleme me pasurinë.
Braho ishte prokurori i çështjes së vrasjes së të riut Klodian Rasha nga efektivi i Policisë, Nevaldo Hajdaraj, ngjarje e ndodhur 8 dhjetorin e vitit të kaluar, në kryeqytet.
Hajdaraj u dënua me 15 vite burg për vrasjen e Rashës, dënim që për shkak të gjykimit të shkurtuar shkoi në 10 vite. I dënuari ka apeluar vendimin, por këtë gjë e ka bërë edhe prokuroria, që kishte kërkuar dënimin me 20 vite të ish-efektivit.
Vrasja e 25-vjeçarit shkaktoi reagim të madh dhe protesta të shumta në kryeqytet për disa ditë me radhë, në fund të të cilave ministri i Brendshëm i kohës, Sandër Lleshaj, dha dorëheqjen. Ndërsa babai i viktimës deklaroi pas vendimit se djali i tij ishte vrarë nga një sekt i dhunshëm, duke iu referuar Policisë së Shtetit.