Aktualitet Fatmir Mediu dorëzon rekursin në Gjykatën e Lartë për “Gërdecin”

Fatmir Mediu dorëzon rekursin në Gjykatën e Lartë për “Gërdecin”

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dorëzoi sot rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshton vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm që i hapi rrugë ri-hetimit dhe gjykimit të tij për çështjen ‘Gërdeci’

Avokati Ardian Visha, argumenton se vendimi është antikushtetues.

“Cenon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj”, u shpreh avokati.

Më tej, mbrojtja e Mediut argumenton se vendimi është i cenueshëm, sa kohë një gjykatë e një shkalle më të vogël ka prishur një vendim të Gjykatës së Lartë. Për mbrojtjen, ndjekja penale për rastin është e parashkruar për shkak  të viteve.

Çështja ndaj ish-ministrit është ri-hapur pasi Zamira Durdaj, e cila humbi të birin në ngjarjen e Gërdecit, e kallëzoi atë në SPAK.

Fillimisht Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për ta ri-gjykuar Mediun, me argumentin se kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për rishqyrtimin e çështjes dhe se nuk ka prova të reja.

Gjykata pati arsyetuar se mungesa e imunitetit të Mediut, sidomos pas vitit 2019, nuk e ka penguar prokurorinë të nisë procedurat.