Ambasada amerikane në Tiranë reagoi pas operacionit të policisë që çoi në arrestimin e disa personave që merreshin me falsifikimin e dokumenteve.
Përmes një deklarate, ambasada thotë se operacioni “Shqiponja e Kristaltë” u ekzekutua në 6 qytete të ndryshme në të gjithë Shqipërinë dhe në pranga ranë 22 persona.
Sipas ambasadës, ky aksion është një rekord për Shqipërinë pasi të gjithë personat e shënjestruar nga autoritetet u zbuluan dhe u arrestuan brenda 17 minutave.
“Crystal Eagle” ishte një sukses i plotë falë mbështetjes së oficerëve të përkushtuar të Policisë së Shtetit Shqiptar, sidomos atyre të “Njësisë Speciale të Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Shërbimit Diplomatik të Sigurisë “Mburoja e Përbashkët”, një njësi policore kushtuar punës së çështjeve të përbashkëta penale mids SHBA-së dhe Shqipërisë. Agjentët e Shërbimit Diplomatik të Sigurisë nga Ambasada e ShBA udhëhoqën përpjekjet operacionale të afro 300 oficerëve të policisë për të shënjestruar një laborator falsifikimi dokumentesh. Gjatë operacionit u konfiskuan armë automatike, drogë, dokumente të falsifikuara, kompjutera, automjete dhe para”, thuhej në deklaratën e ambasadës.
Më tej, thuhet se të arrestuarit mund të përballen me një dënim nga 6 deri në 14 vjet burg dhe se ky operacion është përfundimi i suksesshëm i një hetimi që filloi në vitin 2018. Ambasada falenderoi Policinë e Shtetit shqiptar për ndihmën e tyre.
Në fakt policia njoftoi mesditën e së martës arrestimin e 24 personave. Përmes një deklarate Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu tha se hetimet për këtë grup janë ndjekur nga SPAK që i kërkoi gjykatës që 15 persona të gjykohen nën masën e arresti me burg, 7 nën detyrim paraqitje dhe 2 në gjendje të lirë.