Bota Greqia nis fluturimet me Gjermaninë, ja rregullat e reja të udhëtimit

Greqia nis fluturimet me Gjermaninë, ja rregullat e reja të udhëtimit

Për herë të parë pas dy muajsh bllokimi, “Lufthansa” kryen fluturimin e parë duke transportuar pasagjerë drejt Greqisë. Të gjithë udhëtarët mbajnë maska në fytyrë dhe përpara se të futen në avion iu kërkohet të plotësojnë formularë shëndetësorë.

Ata monitorohen nëse janë të prekur me koronavirus. Pasagjerët do të qëndrojnë në hotel derisa rezultatet e testimit të jenë gati. Nëse konstatohet se janë pozitivë, ata duhet të karantinohen në hotel për dy javë. Edhe nëse rezultojnë negativë ata ende duhet të qëndrojnë të izoluar në banesën e tyre. Vendimi për të qëndruar në karantinë në Greqi do të jetë në fuqi deri në fund të majit. Nëse ky vendim thyhet, qytetarët rrezikojnë të gjobiten me 5000 euro. Pasagjerët janë të qetë për këto kontrolle.

“Një përvojë e çuditshme, por gjithçka është e nevojshme. Në çdo moment ndihemi të rrezikuar”, thotë një pasagjer.

Pak ditë më parë Komisioni Evropian bëri me dije disa propozime për fluturimet, të cilat përfshijnë faktin se linjat ajrore dhe aeroportet duhet të insistojnë që pasagjerët të mbajnë maska, dhe të riorganizojnë chek- inet e jo vetëm për të shmangur grupimet e pasagjerëve.

Në 15 maj Greqi mori vendimin për të rinisur fluturimet me Gjermaninë, por vijon të mbajë të bllokuar udhëtimet me Italinë, Britaninë Holandën dhe Spanjën, të paktën deri në fund të muajit.

Kufijtë janë gjithashtu të mbyllur deri më 31 maj, të paktën për qytetarët që nuk vijnë nga shtete të BE.

Greqia shpreson të rikthejë turistët e huaj në korrik. Gjermanët janë ndër turistët kryesorë që vizitojnë shtetin fqinj.