Kulturë Shkëlqim Pashollari, këngëtari që të mrekullonte me zërin e tij hyjnor!

Shkëlqim Pashollari, këngëtari që të mrekullonte me zërin e tij hyjnor!

Fati i njeriu është i çuditshëm! Për arsye të ndryshme, disa e kalojnë gjithë jetën e tyre në vendlindje, ku kthehet edhe vendprehjen e tyre, tek disa të tjerë, ndodh e kundërta! Ndryshe nga sot ku lëvizja është e lirë dhe e kufizon vetëm ana ekonomike përgjatë sistemit të kaluar, fatin e jetës dhe të lëvizjes së njerëzve në vendin tonë ta caktonte diktatura! Një prej këtyre familjeve që i përcaktoi fatin diktatura, ishte edhe familja përmetare Pashollari, e cila kishte zgjedhur për të jetuar e punuar në Memaliaj, ku në atë kohë ishte një qytezë minatorësh, që popullohej çdo ditë e më shumë nga të rinjtë dhe familje nga vende të ndryshme të vendit.

Familja Pashollari, kishte ardhur për një jetë më të mirë ne këtë qytet, por një mëngjes u zgjua nën zhurmën e trokitjeve të forta, të cilat ishin jehona e shpalljes së vendimit të dëbimit që kishte marr pushteti vendor i kohës.

Nuk kisha dëgjuar asnjëherë të flitej për këtë familje dhe birin e saj, Shëlqim Pashollari, por fal interesimit tim për t’i dedikuar një shkrim këngëtarit memaliot, të ndjerit Petref Goxha, mësova përgjatë bisedës (Shkurt 2016) me bashkëqytetarin tim Sulo Hodo, i cili është edhe moshatar me të dy bashkëqytetarët e tij. Përgjatë bisedës ku mora disa të dhëna për jetën e fëmijërisë së këngëtarit Petref Goxha, dëgjova të përmendej edhe emri i Shkëlqim Pashollarit, i cili kishte filluar të këndonte në moshë shumë të vogël, u dëbuan si familje nga Memaliaj dhe më vonë ai këndoi në Festivalin e 11-të të Këngës, e cila u quajt për kohën si “Molla e ndaluar”.

I pushtuar nga mosnjohja e këtij fakti, jo vetëm i atij tragjik për dëbimin e familjes Pashollari, por edhe nga arritjet e birit të tyre, Shkëlqimit, i cili arriti më vonë të këndonte në një nga Festivalet Kombëtare të Këngës, vendosa të kërkoja ndihmë me anë të një postimi në Faqen Memaliaj që kam hapur në Facebook, ku arrita të merrja disa të dhëna, të cilat janë të mjaftueshme për t’i kushtuar një shkrim memaliotit Shkëlqim Pashollari dhe familjes së tij.

Për të bërë me dije se çfarë ndihme kërkoja me anë të postimit tim, në fillim postova disa nga të dhënat nga çfarë mësova nga bashkëmoshatari i tij Sulo Hodo. Të shumta ishin edhe komentet e memaliotëve, të cilat e bënë më të plotë shkrimin e familjes Pashollari.

Për të mos humbur rrjedhën e natyrshme të përpjekjeve për të realizuar këtë shkrim, vendosa t’i sjell të gjitha komentet njëra pas tjetrës si më poshtë:

Për të bërë me dije se çfarë ndihme kërkoja me anë të postimit tim, në fillim postova disa nga të dhënat nga çfarë mësova nga bashkëmoshatari i tij Sulo Hodo. Të shumta ishin edhe komentet e memaliotëve, të cilat e bënë më të plotë shkrimin e familjes Pashollari.

Sulo Hodo: ”Shkëlqimi është i datëlindjes 1947-të. Ai rridhte nga një familje me origjinë nga Zhepova e Permetit, por fatkeqësisht; politika e diktaturës që gjeti zbatim me anë të besnikëve të saj, e dëboi familjen e tij, duke e rikthyer në fshatin nga ku erdhën. Ashtu si Petref, Astrit Malka, unë e shumë memaliotë të tjerë, u hidhëruam shumë nga largimi me forcë që i bënë familjes së tij. Mbaj mend që Shkëlqimi, ka filluar të këndoj në moshë shume të re, në atë fillore, sëbashku me bashkëmoshatarin e tij, Petref Goxha. Të dy e kanë filluar duke u aktivizuar me Shtëpinë e Pionierit dhe shquheshin për zërin e tyre të veçantë, jo vetëm nga të moshës së tyre, por edhe më të rritur se ata. Familjen e Shkëlqimit e larguan, dëbim ky që i ngjante atyre të internimeve; prej asaj kohe dhe në vazhdim, për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin, ngeli vetëm në kujtesë. Ndërsa Petref Goxha, vazhdoi të këndonte për trupën e Pallatit të Kulturës së qytetit tonë. Por ishte Festivali i 11-të i Këngës, që e risolli më pranë në çdo familje memaliote dhe atë mbarë shqiptare. Këngën që Shkëllqim Pashollari, këndoi ishte “Dhoma 23”, me tekst të Betim Muçës dhe kompozitor, Flamur Shehun.”

Anastasia Vrenozi: “Mondi Ismailati, në radhë të parë, respekt për ju! Kam një informacion të vogël, por që edhe mund të bëhet shkasë për më shumë. Shkëlqim Pashollari banonte në pallatin ku banon familja Mullaraj; një pallat më në perëndim nga ku banoja unë. Të gjithë moshatarëve të mi, mund t’iu vijë në kujtes kënga “Neve jemi marangoza”, të kënduar me shumë sukses, nga personi në fjalë. Aq bukur e këndonte, saqë për një periudhë kohore, ajo u bë hit; të paktën për ne memaliotët. Uroj të jetë mirë, gjithashtu edhe ju Mondi!”

Përparim Haxhiaj:Po, është e vërtetë, se këngën e Shkëlqimit e dëgjoja të këndohej shpesh edhe nga vëllezërit e mi me të medhenj. Për sa kam dërgjuar, Shkëlqimi ka jetuar në Fier dhe më duket se ka punuar mësues muzike. Babain ja quanin Faslli dhe ka punuar si berber i qytetit tonë në atë kohë.”

Thanas Hoda:Mondi! Të uroj shëndet! Të përgëzoj për vullnetin dhe dashamirësinë për të shkruar për njerëz që kanë banuar në Memaliaj! Shkëlqimin e kam pasur nxënës, por edhe në klasën ku kam qenë mësues kujdestar. Është e vërtetë: “Shkëlqimi ka qenë jo vetëm nxënës i shkëlqyer në mësime, por ashtu, siç ka emrin, shkëlqente edhe si këngëtar! Sulua ka qenë shokë klase me Shkëlqimin dhe është i besueshëm! Babain e kishte berber nga më të mirët dhe tek ai i prisnim flokët. Si mbaroi 7-vjeçaren, u shpërngulën për në fshatin e tyre! Ishte një djalë i edukuar, bukurosh dhe këndonte bukur! Unë krenohesha me atë, se kur bëheshin konkurime midis klasave të shkollës, klasa ime dilte e para! Zëri i ëmbël i Skëlqimit, ja shtonte akoma më shumë vlerat koncertit. Në koncertet që organizonte Pallati i Kulturës, këngët e Shkëlqimit zinin një vend të rëndësishëm dhe duartrokitjet fillonin para se të fillonte të këndonte! I uroj shëndet kudo që jeton sëbashku me familjen e tij! Përqafime Mondi!”

Androkli Muzha:Babain e tij, e quanin Faslli. Me Shkëlqimin takohesha pothuajse çdo ditë përgjatë një muaji të vitit 1998-të. Ishte koha kur ku banoja Athinë. Të dy, ashtu si edhe familjet tona, ishim të deklasuarit e asaj kohe. Familjen Pshollari, e hoqën forcërisht dhe i çuan në fshatin e lindjes. Më vonë, ata kanë çarë në jetë me përpjekje e vështirësi. Kur u krijua fshati i ri në Seman, punoi në Shtëpinë e Kulturës të këtij fshati. Më pas, u largova, pasi shkova dhe jetova për dy vjet në Amerikë dhe kur u ktheva nuk e takova më. Shpresoj që ta takoj një ditë, pasi ruaj kujtime të mira.”

Vasil Nasi: “Me familjen Pashollari jam njohur kur u kthyen në Përmet, në fshatin e lindjes Zhepovë. Bababi i Shkëlqimit ishte zëri brilant i Grupit folklorik të Dëshnicës dhe mori pjesë në disa festivale që organizoheshin në Gjirokastër nga të gjitha trevat shqiptare. Me Shkëlqimin dhe vëllanë e tij Sazanin, kemi punuar në N.SH.N në Përmet. Të dy ishin puntorë, besnikë dhe me kulturë. Këngën e Ofelisë, të kënduar nga Shkëqimi me atë zë, që rrallë gjen këngëtar si ai, jeton akoma në memorien e brezit tonë që e kemi përjetuar. Tani që lexova statusin tuaj z.Mondi Ismailati, m’u rrënqeth trupi! Aq shumë e pëlqeja, saqë në një festival, kam dashur të këndoja edhe unë!

Nga biseda me miqtë e mij në Memaliaj; është shumë e vërtetë se familja Pashollari, është larguar nga Memaliaj vetëm nga biografia e nënës së Shkëlqimit, pasi në festën e 27 Qershorit, tentoi forcërisht të takonte diktatorin Enver Hoxha, përgjatë një vizite që bëri ky i fundit në qytezën e minatorëve të Memaliajt. Kur u ndërtua një fshat socialist në Seman të Fierit, Shkëlqimi shkoi i pari dhe punoi si përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës në Seman, kështu quheshin në atë kohë qëndrat kulturore të fshatrave. Sa për thashelleme qelbësirat z. Mondi, si çdo vend, edhe në Memaliaj; aq sa ka të mirë, ka edhe të liq që llamatisin mbapa hrahëve, pasi përballë të bëjnë freski. Kontributin tuaj e vlerësojnë njerëz me kulturë dhe fisnikëri, por Këshilli Bashkiak Memaliaj i kujdo force politike duhet ta marrë në konsiderat këtë kontribut vlerash dhe t’ju bëj “Qytetar Nderi”, pasi e meritoni. Kujtesa është thesar vlerash për një qytet si Memaliaj, por që fatkeqesisht është drejt shuarjes. Sinqerisht, jam me ju dhe ju çmoj si diamant fisnikërie dhe përkushtimi, për punë të mëdha që po bëni dhe pa asnjë lloj interesi personal ….Respekte..!”

Mondi Ismailati: “Faleminderit i nderuar Vasil! Komenti juaj do ta bëjë më të plotë shkrimin kushtuar Shkëlqimit! Sa për shashkat, jam mësuar, por më shumë jam befasur nga disa që nuk i konsideroja të tillë! Në lidhje me propozimin tuaj, të cilin e keshprehur edhe herë të tjera me ane të komenteve; sinqerisht, ju jam mirënjohës për vlerësimin, por do të isha më shumë akoma, nëse nuk do përmendesha fare! Shprehem kështu, pasi të gjithë kanë dhënë kontribut për atë qytet dhe më shumë prinderit dhe gjysherit tanë, të cilët janë lënë qëllimisht në harresë, ngaqë disa i blejnë vlerësimet, e disa në sajë të lidhje familjare dhe më tej. Si e tillë, dhënien e këtij vlerësimi e kanë degraduar në disa raste! Për të mos u zgjatur, nëse ndodh një gjë e tillë, une e kam shprehur këtu dhe po e ritheksoj se nuk e dëshiroj dhe nuk kam për ta marr, edhe sikur të vendosin për një vleresim të tille! Gjithçka që bëjë, edhe pse dihet që është një përkushtim i sinqertë, me kosto dhe vullnetarisht; e kryej si një detyrim ndaj vetes, pra vendlindjes dhe bashkëqytetarëve të mi! Tek unë nuk ndryshon asgjë për mirë ky vlerësim, përkundrazi, do ndihem shumë keq përpara bashkëqytetarëve të kudo ndodhur, pa harruar edhe ata të jetës së përtejme! Do ishte më fisnike që Këshilli Bashkiak të nderonte me këtë titull të gjithë ata kryetar të trungjeve famijare që kanë punuar në minierë. Një gjest i tillë fisnikëror, është vlerësimi për të dy palët! Por do vij dhe shkrimi edhe për këto harresa të qëllimshme!

Faleminderit për ndihmën që vazhadoni të jepni në faqen Memaliaj, për të arritur qëllimin e përbashkët mbarëqytetar! Respekte!”

Shyqyri Malka:E mbaj mend shumë mirë, jo vetëm Shkëlqimin, por edhe familjen e tij. Ishin pesë vëllezër. Njëri prej tyre, ishte mosha ime. E kishte emrin Vladimir dhe e kisha në shkollë në Tiranë. Kur ikën nga Memaliaj, pasi i larguan, u kthyen të gjithë në fshatin e tyre Zhepovë të Përmetit.”

Edhe pse jam në pritje për të mësuar më shumë për jetën e Shkëlqimit dhe të familjes së tij, pasi jam vënë në dijeni nga bashkëqytetarë të tjerë që kanë kontaktuar me këtë familje, shkrimi ngelet i hapur për të shtuar edhe detaje të tjera nga jeta e tyre plotë vështirësira që kanë hasur përgjatë diktaturës. Ajo që më shtyjnë të mësoja më shumë, janë ato të jetës së Shkëlqimit pas Festivalit të 11-të që ai këndoi, pasi disa këngëtarë u dënuan edhe me shumë vjet heqje lirie.

Familja Pashollari dhe në veçanti kontributi si këngëtar i djalit të tyre, Shkëlqim Pashollarit, e pasurojnë akoma më shumë historikun e qytetit të Memaliajt. Duke marrë parasysh vlerësimet e shumë bashkëqytetarëve, të cilët e kujtojnë me respekt këtë familje, marr shkas me anë të këtij shkrimi, t’ju shprehë edhe një herë se memaliotë ju kanë dashur dhe vazhdojnë t’ju duan, pasi edhe familja juaj, ka qenë dhe ngelet një prej tyre! Gjithmonë keni jetuar sëbashku, jo vetëm në kujtimet e atyre që kanë patur fatin t’u njohin nëpërmjet jetës punëtore, shkollore dhe atë bashkëqytetare, por edhe atyre që ju kanë njohur përgjatë bisedave! Një sistem ku sundon diktatura, ka forcën t’i dhunojë njerëzit shpirtërisht dhe fizikisht, deri në mosekzistencën e kësaj të fundit, por asnjëherë të tjetërsojë shpirtin e atyre që janë lindur të lirë! Të tillë shpirtëlirë do të kujtoheni dhe nderoheni gjithmonë, nga çdo brez memaliotësh!

Edmond Ismailati/ New York City