“Sot qëndroj para jush e vetme pa asnjë mbështetje politike. Por pas një muaji ju do të më shihni mua dhe ekipin tim duke hetuar një më një, të gjitha skandalet që kanë tronditur vendin tonë”, do të deklaronte katër vite më parë Katica Janeva përpara medieve, duke u betuar si Prokurorja e parë Speciale e vendit fqinj. “Veprimet e mia do të flasin për punën time”, tha ajo. Nëse do të dëgjonte prapa hekurave fjalimin e saj të parë si kryeprokurore, Janeva mund të kuptonte se do të kishte parashikuar fundin e saj, sepse ishin pikërisht veprimet e saj çuan në ngritjen, shkëlqimin dhe arrestimin e saj.
Kur maqedonasit dëgjuan për herë të parë për emërimin e Katica Janevas si Prokurorja e re Speciale, shumë njerëz duhej të kërkonin në Google për më shumë mbi biografinë dhe jetën e saj.
Por detajet për këtë avokate 50-vjeçare, pothuajse të panjohur që vinte nga qyteti i vogël i Gjevgjelisë ishin të pakta.
Edhe në mesin e profesionistëve të drejtësisë emri i saj nuk ishte i njohur, gjë që u pa si një ogur i mirë për angazhimin e saj të ardhshëm profesional, pasi në 2015-ën sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut ishte i mbushur plot me gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar.
Dilema e madhe e Shkupit nëse një prokurore kaq pak e njohur do të ishte në gjendje të trajtonte çështje të ndërlikuara që arrinin deri në majën e pushtetit politik, ka marrë tanimë fund dhe përgjigjja është “Jo”. Janeva u arrestua disa ditë më parë në shtëpinë e saj mes një skandali për zhvatje, ku është i përfshirë edhe djali i saj. Ajo që duhet të ishte “rojtarja” e drejtësisë është shfaqur në një video-skandal duke i premtuar një biznesmeni të fuqishëm lirinë, në këmbim të parave.
Mjaftuan tre video të publikuara nga gazeta italiane “La Verita”, të cilat tregonin disa të dyshuar që largohen nga shtëpia e një biznesmeni me çantat plot me para dhe përforcuan gjithçka për të shembur të gjithë iluzionin mbi të cilin ishe ngritur Prokuroria Speciale në Shkup, një institucion i ngjashëm më SPAK në Shqipëri. Skandali në të cilin është përfshirë Janeva ka ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi funksionimin e Prokurorisë Speciale dhe rikthimin e shtetit të së drejtës me të cilin kryeministri Zoran Zaev është mburrur shpesh herë në skenën ndërkombëtare. Por si u kthye Katica Janeva nga një avokate të panjohur në gruan më të fuqishme në Maqedoninë e Veriut?
Si Prokurore Speciale, Janevës iu besua të kishte një nga detyrat më të vështira dhe më të rëndësishme në vendin e saj. Ajo duhet të merrej me manipulimin e zgjedhjeve në të kaluarën, me vjedhjen e tenderëve, të burgosurit politikë, skandalet e përgjimeve të publikuara nga opozita, por mbi të gjitha hetimin e figurave të larta politike. Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mohgerini dhe Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn kanë ofruar personalisht mbështetje të pakushtëzuar për Janevën që nga zgjedhja e saj në këtë post.
Si një vajzë gjykatësi, Janeva ka punuar si prokurore në Gjevgjeli për 13 vjet. Pasi aplikoi për dy herë, ajo u emërua kryeprokurore e këtij qyteti në vitin 2010.
Biografia e saj thotë se Janeva kishte kryer një sërë trajnimesh në Shtetet e Bashkuara dhe në Siçili, baza famëkeqe të mafies italiane. Në vitin 2005, juridiksioni i prokurorisë dhe gjykatës së Gjevgjelisë ishte zvogëluar në mënyrë të konsiderueshme, pasi merrej me hetimi e krimeve të vogla si përleshje, vjedhje dhe aksidente, me dënime që arrin deri në pesë vjet burg. Kjo në mënyrë të pashmangshme ngriti pikëpyetje në lidhje me përvojën e saj për të hetuar dhe vënë pas hekurave figura të larta politike.
“Maqedonia nuk ka kohë të mjaftueshme për të pritur që kryeprokurorja të mësojë se cila është puna e saj … Ajo është e panjohur jo vetëm për publikun, por edhe për profesionistët e gjyqësorit në Shkup” ,do të deklaronte kreu i Transparencës Ndërkombëtare në Maqedoni, Slagjana Taseva tre vite më parë.
Një gjë për të cilën pajtoheshin të gjithë është se emri i saj nuk mund të lidhet me asnjë parti politike, të paktën jo deri dy javë më parë.
Ajo u emëruar mes skandalit të përdorimit të institucioneve të inteligjencës nga qeveria. Ish-Kryeministri Nikolla Gruevski dhe kushëriri i tij, ish-shefi i policisë sekrete Saso Mijalkov u akuzuan për përgjimin e 20,000 njerëzve, përfshirë ministrat e qeverisë. Ato zbuluan përfshirjen e drejtpërdrejtë të qeverisë në shumë skandale, përfshirë manipulimet zgjedhore dhe abuzimin me sistemin e drejtësisë dhe mediat.
Gruevski këmbënguli se këto përgjime komprometuese “u krijuan” nga shërbimet e huaja të inteligjencës dhe iu dhanë opozitës për të destabilizuar vendin. Sidoqoftë, partia e tij duhej të merrte pjesë në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE dhe SHBA-ja dhe të pranonte emërimin e Janevës për të hetuar skandalet që kishin dalë në dritën e diellit.
Ngritja e Prokurorisë Speciale ishte një nga sukseset më të mëdha të Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut, pasi duhej edhe të shërbente për vendosjen e shtetit ligjor dhe një demokracie funksionale që do të gëzonte besimin e shtetasve maqedonas. Si rezultat i kompromisit mes palëve, Katica Janeva u kthye në gruan më të fuqishme të Maqedonisë së Veriut. Zoran Zaev i dorëzoi menjëherë gjithë dokumentacionin që kishte në zotërim. Në pak muaj, Janeva nisi proceset që çuan në burgosjen e shumë eksponentëve politikë, përfshirë edhe ish-kreun e shërbimit sekret, Saso Mialkov, të gjithë të lidhur me qeverinë e mëparshme të Gruevskit.
Më 15 shtator të vitit 2016, ajo ngriti aktakuzat e para për shkatërrimin e dokumenteve në lidhje me pajisjet e përdorura për përgjimet e paligjshme, për të akuzuar më pas qeverinë “Gruevki” se orkestroi sulme të dhunshme ndaj opozita në disa manifestime dhe protesta.
Ajo çoi përpara gjykatës edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili ka kërkuar tanimë azil në Hungari për të shmangur dënimin me burg.
Hetimet dhe proceset gjyqësore të Prokurorisë Speciale ndryshuan krejtësisht skenën politike. Zaev arriti të zgjidhej kryeministër dhe Maqedonia e Veriut mori lëvdata ë jashtëzakonshme nga ndërkombëtarët, duke pranuar të modifikonte gjithë kushtetutën e saj në favor të zgjidhjes së konflikteve me Greqinë, duke marrë emrin Maqedonia e Veriut.
Por ku dështoi Janeva dhe përse u përfshi në vorbullën e korrupsionit që duhet të hetonte?
Që nga krijimi i saj, Prokurorja Speciale ka gëzuar shumë më tepër besim në publik se çdo ministër apo zyrtar tjetër i lartë. Janeva u pa si udhëheqësja e luftës kundër krimeve të së kaluarës dhe një gur themeli për reformimin e të gjithë sistemit të drejtësisë në vendin fqinj. Besimi i tepërt publik dhe në një farë mënyrë “garancia” e Bashkimit Europian i dhanë Janevës më shumë pushtet sesa e parashikonte edhe vetë juridiksioni i Prokurorisë Speciale.
Deri më tani Brukseli ka ruajtur heshtjen. Asnjë përfaqësues i Bashkimit Europian në Shkup nuk ka pranuar të komentojë skandalin ku është përfshirë e ish-kryeprokurorja, e aq më pak arrestimin e saj. Për Zaev arrestimi i saj është një triumf i drejtësisë, ndërsa për prokurorët specialë të ngarkuar me hetimin e krimin e nivelit të lartë është një provë që askush nuk është mbi ligjin.
Edhe pse e tronditur nga arrestimi i Janevës, Prokuroria Speciale e Maqedonisë së Veriut, e, u zotua të enjten se “Lufta nuk do të ndalet”.
Pasi u quajtën “Engjëjt e Charlie”, treshes së prokurorëve femra në Shkup iu besua forcimi i luftës kundër krimit të nivelit të lartë. Por Janeva duket se është braktisur tanimë nga skuadra e saj . Duke folur për herë të parë që kur Janeva u mor nga shtëpia e saj nga policia, prokurorja speciale, shqiptarja, Fatime Fetai, këmbënguli se Prokuroria Speciale kishte triumfuar mbi krimin e organizuar dhe korrupsionit. Fetai tha se misioni i tyre nuk kishte ndryshuar me apo pa Janevën.
“Përgjegjësia e mundshme penale individuale e një prej prokurorëve të SJO nuk duhet të jetë një justifikim për të harruar të gjithë krimin që është kryer vitet e fundit, dhe lufta jonë nuk do të ndalet,” tha ajo.
Por ngrirja, shkëlqimi dhe rënia e Janevës ka tronditur qeverinë e kryeministrit Zaevit dhe ka shkatërruar besueshmërinë e makinerisë së anti-korrupsion në vendin fqinj. Tanimë, nga fener shprese, Prokuroria Speciale është një institucion i kapur ashtu si të gjitha strukturat e tjera. Ky skandal pritet që të prishë edhe “festën” që Shkupin me sa duket e priste në tetor, ku të shumtë ishin zërat se do të ndahej nga Shqipëria dhe Samiti i liderëve të unionit do ti hapte negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian. Shteti ligjor dhe ndëshkimi i zyrtarëve të lartë ka qenë një nga armët e forta të qeverisë se Zaev përpos marrëveshjes historike për emrin me Greqinë. Por “Zhvatja” duket se e rikthen Maqedoninë e Veriut në një llogore me Shqipërinë sa i takon hapjes së negociatave: Tirana dhe Shkupi duket se tangon do e kërcejnë sërish bashkë, si me vendim pozitiv apo edhe me vendim negativ.