Shkencëtarët në Mbretërinë e Bashkuar thonë se lloji i ri i koronavirusit mund të transmetohet më lehtë te fëmijët.
Sipas shkencëtarëve të NERVTAG, varianti i ri i cili besohet të ketë origjinën në Anglinë juglindore mund të jetë rreth 71% më i transmetueshëm se variantet e tjera.
Peter Horby, profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin e Oksfordit dhe kryetar i NERVTAG, deklaroi në një konferencë për shtyp se ekziston një dyshim se ky variant “ka një prirje më të lartë për të infektuar fëmijët”, krahasuar me llojet e mëparshme.
Ai deklaroi se “nuk kanë gjetur asnjë lloj shkaku nga vjen kjo, por mund ta shohin atë në të dhënat e tyre”.
Një tjetër anëtare e NERVTAG, Wendy Barclay, kryetarja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Imperial College London, tha se llojet e mëparshme të virusit mund të kenë pasur një “kohë më të vështirë” për t’u futur në qelizat njerëzore duke përdorur një receptor të quajtur ACE2.
“Të rriturit, të cilët kanë shumë nga ky receptor në hundë dhe në fyt, janë “shënjestra të lehta” në krahasim me fëmijët. Por, nën këtë hipotezë, një virus që mund të përdorë më lehtë këtë receptor për të hyrë në qeliza mund t’i bëjë fëmijët po aq të ndjeshëm ndaj virusit sa të rriturit”, tha ajo.
Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, disa hulumtime sugjerojnë që lloji i ri i koronavirusit mund të lidhet më fort me receptorin ACE2, por “mbetet ende e panjohur nëse kjo lidhje, përkthehet në ndonjë ndryshim të rëndësishëm epidemiologjik ose klinik”.