Shkencëtarët izraelitë thonë se është çështje ditësh që të zbulojnë vaksinën e parë kundër koronavirusit. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Shkencës dhe Teknologjisë, Ofir Akunis. Sipas postimit të tij në rrjetet sociale, nëse gjithçka shkon sipas planit, brenda 3 muajve do të jetë gati vaksina për përdorim masiv në popullatë.
“Urime MIGAL për këtë zbulim mahnitës. Jam i bindur që do të ketë progres tjetër të shpejtë dhe të qëndrueshëm, duke na mundësuar një përgjigje të domosdoshme ndaj kërcënimit global të COVID-19”, shkruan ai.
MIGAL është një institut shkencor izraelit vendosur në Galile. Në katër vitet e fundit shkencëtarët e këtij instituti kanë testuar një vaksinë kundër virusit të bronkitit dhe thonë që kanë një bazë të shëndoshë epruvetash kundër sëmundjeve respiratore.
“Koncepti ynë është që të zhvillojmë teknologjinë dhe jo një vaksinë të këtij lloji. Vaksina e re bazohet tek një proteinë e re, që shkakton një reaksion kimik zinxhir që aktivizon antigenit kundër sëmundjeve virale dhe antitrupat që luftojnë virusin”, thotë Dr. Chen Katz, shefi i grupit të bioteknologjisë në MIGAL.
Kura do të jetë në formë orale dhe sipas Katz testimet e para kanë treguar një rezultat thuajse 100 për qind kundër viruseve respiratore.
“Le ta quajmë një zbulim me fat. Ne vendosëm që të zgjedhim koronavirusin si një model për sistemin tonë si një provë për teknologjinë që përdorim”, shton Katz.
Shkencëtarët izraelitë kanë studiuar sekuencën e ADN-së së koronavirusit dhe kanë zbuluar se ai ka një ngjashmëri të madhe me ADN-në njerëzore dhe se përdor të njëjtin mekanizëm infektimi. Kjo lehtëson punën për zbulimin e një vaksine.
“Jemi në mes të këtij procesi dhe me shpresë brenda pak javësh do të kemi një vaksinë në dorën tonë. Nëse gjithçka shkon në rregull do të kemi një vaksinë kundër koronavirusit”, thotë instituti izraelit.
Megjithatë, asgjë nuk mund të ndodhë më parë se 90 ditë. MIGAL duhet të kalojë testimet paraprake dhe procesin e certifikimit dhe për këtë ministri i Shkencës dhe Teknologjisë së Izraelit, Akunis thotë se ka udhëzuar stafin e tij që të shqyrtojnë me prioritet çdo kërkesë të kompanisë për licencë për këtë çështje.
“Nisur nga nevoja urgjente globale për vaksinën kundër koronavirusit, ne jemi duke bërë gjithçka për ta përshpejtuar këtë proces”, deklaron kreu ekzekutiv i MIGDAL, David Zigdon.
Izraelitët janë të parët që pretendojnë se për çështje javësh do të kenë gati vaksinën, ndërkohë që grupe të tjera shkencëtarësh nga Japonia, Europë dhe SHBA kanë kërkuar të paktën 6 muaj kohë që të arrijnë në një vaksinë kundër koronavirusit.