Shkencëtarët në Australi kanë identifikuar se si sistemi imunitar i trupit të njeriut lufton virusin Covid-19.
Kërkimi i tyre, botuar të martën në revistën Nature Medicine tregon se njerëzit po shërohen nga virusi i ri, njësoj si nga gripi.
Përcaktimi se cilat nga qelizat imune shfaqen, thotë një nga ekspertët, duhet të ndihmojë në zhvillimin e vaksinave.
“Ky zbulim është i rëndësishëm sepse është hera e parë kur ne me të vërtetë po kuptojmë se si sistemi ynë imunitar lufton koronavirusin e ri”, tha bashkëautori i studimit Prof. Katherine Kedzierska.
Studimi sjell rastin e një gruaje 47-vjeçare, e cila ishte e prekur nga koronavirusi dhe që u shërua brenda 14 ditëve.
Prof. Kedzierska tha për BBC se ekipi i saj kishte ekzaminuar “gjerësinë e përgjigjes imune” në këtë pacient.
“Tre ditë para se gruaja të fillonte të përmirësohej, qelizat specifike u vunë re në gjakun e saj. E njëjta gjë ndodh edhe tek pacientet me grip të zakonshëm, ku këto qeliza shfaqen rreth kësaj kohe para shërimit”, tha Prof. Kedzierska.
Autoritetet kanë konfirmuar më shumë se 160 mijë raste me Covid-19, si dhe rreth 6.500 të vdekur në të gjithë botën.