Numri një i Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj tha në një konferencë për mediat, se deri më tani janë 31 personat e arrestuar për pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit.
Hetimet nisën një ditë pas lëkundjeve të forta që i morën jetën 51 personave.
“Më 27 Nëntor 2019 ka filluar një hetim pas tërmetit, për të evidentuar shkeljet e bëra nga punonjës të administratës shtetërore, por edhe nga ndërtuesit, që sollën si pasojë nxjerrjen e disa ndërtimeve, banesave, të pabanueshme me akte konstatimi. Deri më tani kemi arritur të evidentojmë disa ndërtesa të cilat janë shpallur si të pabanueshme. 25 prej tyre janë institucione, një numër prej 134 janë pallate dhe mbi 200 janë banesa private. Pas ekspertimeve përkatëse janë evidentuar dhe identifikuar autorët të cilët u bënë shkak dhe pasojë për arrestimin e datës së djeshme dhe numri i tyre deri më tani ka arritur në 31”, tha Imeraj.
Në mesin e të arrestuarve janë me dhjetëra ish-zyrtarë, të komunave Farkë, Kashar e Vorë, arkitektë e ndërtues. Ata akuzohen për ndërtim të paligjshëm, shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
“Prokuroria ka hetuar në disa drejtime. Është hetuar në drejtim të evidentimit dhe identifikimit të plotë të autorëve me detyra përkatëse në institucione shtetërore, të cilët kanë pasur si detyrë të lëshojnë dokumentacionin, ta marrin në dorëzim atë dhe të kryejnë veprimet përkatëse në drejtim të marrjes së ndërtesave në kolaudim, ose dorëzim, pra të bëjnë një kontroll të asaj të cilën kanë dhënë leje të ndërtimit. Për këtë arsye është marrë në konsideratë hetimi i plotë i dokumentacionit në çdo ndërtesë të shpallur të pabanueshme dhe është deklaruar dhe konstatuar si e tillë, në mënyrë që të konkludojmë nëse personat e ngarkuar me funksione shtetërore, në kryerjen e detyrave të tyre, kanë qenë në përputhje me ligjin ose jo. Gjetja e situatave në shkelje ka çuar në arrestimet e bëra ditën e djeshme dhe që kualifikohen si vepër penale, pra për shpërdorim detyre”.
“Ndërkohë që gjatë analizimit me detaje të dokumentacionit të sekuestruar nga ana jonë është bërë e mundur që të zbulohen dhe elementë ku janë pasqyruar të dhëna fiktive, të ndryshme nga ato të konstatuara në realitet dhe që për pasojë përbëjnë elementë që lidhet me falsifikimin e dokumenteve”.
“Nga ana tjetër është hetuar në drejtim të evidentimit të faktit nëse ndërtuesit, kontraktorët, apo nënkontraktorët në funksionet e tyre kanë zbatuar me përpikmëri detajet e projektit, duke bërë të mundur që veprimet e tyre të sillnin apo jo pasojën e ardhur dhe për këtë arsye kanë ardhur dhe arrestimet e djeshme“, sqaroi Imeraj.
Prokurorja Imeraj tha gjithashtu se hetimet do të vijojnë dhe do të shtrihen përtej zonave të evidentuara.
“Jemi në vijim të procesit për hetime të tjera që nuk përfshijnë zonat e vetme, Vorën, Kasharin, Farkën, që janë evidentuar dhe dokumentuar deri në këtë moment, por ka një shtrirje për të gjitha ndërtesat në Tiranë, të cilat janë konstatuar të pabanueshme”.
Prokurorja tha më tej se çdo banesë e pabanueshme ose e konstatuar e pabanueshme do të jetë objekt hetimi i mirëfilltë, që të mos gjendemi më përballë një situate të tillë si ajo e 26 Nëntorit