Kryesore “Shkoni te ai maskarai”- Momenti kur militantët e Bashës sulmojnë deputetët (VIDEO)

“Shkoni te ai maskarai”- Momenti kur militantët e Bashës sulmojnë deputetët (VIDEO)

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike që u mbajt në mbrëmjen e të martës, u shoqërua me përplasje të forta si brenda sallës së mbledhjes ashtu dhe jashtë selisë së PD-së.

Në sallë u përplasën dy platformat për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së. Grupi parlamentar i udhëhequr nga kryetari Gazment Bardhi i qëndronte platformës se fillimisht duheshin zhvilluar zgjedhjet në bazë për riorganizimin e strukturave dhe më pas të kalohej në zgjedhjen e kryetarit. Ndërkohë që Kolegji i Kryetarëve kërkonte caktimin e datës për zgjedhjen e kryetarit dhe më pas të bëhej riorganizimi i partisë në bazë.

Në një moment kur deputetët që ishin kundër propozimit të Kolegjit të Kryetarëve, po largoheshin nga mbledhja, ata janë sharë dhe ofenduar në ambientet e jashtme të selisë nga disa simpatizantë të ish-kryetarit Lulzim Basha.

“Po na torturoni. Dëgjo kaq po të them. T’ju vi turp! Burgun e kam ngrënë unë, gazin e kam ngrënë unë, ju keni ndenjur si mbretër atje. Turp t’ju vijë turp”, iu drejtuan simpatizantët deputetëve.

Deputetët që u larguan nga mbledhja ishin Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Helidon Bushati, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Bledion Nallbati, Dhurata Çupi, duke mbajtur kështu një qëndrim kundër propozimit të Kolegjit të Kryetarëve.

Gjatë tensioneve mes mbështetësve te Bashës dhe deputetëve që u larguan nga mbledhja, janë sulmuar dhe ofenduar edhe gazetarët.

Pas përplasjeve të shumta, në përfundim të mbledhjes Kryesia vendosi hapjen e procesit zgjedhor dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kryetarin e PD me datë 29 korrik 2023.