Në ditën ndërkombëtare të fotografisë, ministrja e Kulturës Elva Margariti ka publikuar një sërë fotosh të shkrepura nga njerëz të thjeshtë, jo të famshëm, me pamje të qyteteve turistike në Shqipëri.
Margariti ka thënë se në këtë ditë ka zgjedhur të publikojë fotot më të bukura nga Shqipëria.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Fotografisë mund të kishim publikuar fotografi, që kanë lënë gjurmë në historinë botërore, mund të rikthenim në memorie shkrepjet e Marubëve apo të mjeshtërve korçarë, por zgjodhëm më të bukurat e Shqipërisë. Janë fotografi të shkrepura prej jush, që sot meritojnë vëmendje”, -tha Margariti.
Fotografia i ka fillimet te shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në vitin 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë sot njihet si Dita Botërore e Fotografisë.
Me kalimin e viteve dhe me ndihmën e jashtëzakonshme të teknologjisë, fotografia ka evoluar shumë dhe sot pothuajse të gjithë janë të pajisur me një kamerë përmes të cilës mund t’i ‘ngrijnë’ momentet.
Në historinë e fotografisë shqiptare fototeka “Marubi” përfshin fotografi të vjetra 150 vjet, e të cilat ruhen në Shkodër.