Që prej hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia ka ndryshuar emrat e mbi 100 institucioneve, përfshirë atë të Radio Televizioni Maqedonas, agjensisë informative maqedonase MIA, filarmonisë dhe Operës së Baletit.
Përkufizimi “maqedonas” në këto raste, është ndryshuar me “nacional”. Ndërkohë një numër i madh i institucioneve në vend të Republikës së Maqedonisë, do të cilësohen si të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Zëdhënës i ekzekutivit, Mile Bosnjakovski sqaroi se bisedimet po vazhdojnë edhe për zëvendësimin e emrit të Akademisë maqedonase të Shkencave dhe Arteve, për të cilën ende nuk përmendet një emërtim konkret pasi përcaktimi i tij do të bëhet në koordinim me akademikët.
Zëdhënësi theksoi se vendimi nuk rrezikon identitetin maqedonas dhe përjashtoi po kështu mundësinë e ndërrimit të himnit që e ka edhe ai ne përmbajtje mbiemrin “maqedonas”.
Qeveria ka kërkuar nga të gjitha institucionet që të nisin zbatimin e vendimit për zëvendësimin e mbishkrimeve me emra te rinj si dhe përshtatjen e tyre edhe me ligjin për gjuhët, që nënkupton dhe përdorimin e shqipes.