Lulzim Sulejmani është një nga të rinjtë që mundi t’i mbijetojë tragjedisë së autobusit në Bullgari ku 46 persona, pjesa më e madhe me origjinë shqiptare, ndërruan jetë. I riu mundi që të thyente xhamin dhe të dilte e t’u shpëtonte flakëve. Përveç kësaj ai ndihmoi edhe 6 persona të tjerë të dilnin nga autobusi.
Shqiptari nga Lugina e Preshevës, Lulzim Sulejmani, është kthyer në një hero të vërtetë pas tragjedisë në Bullgari. Ai është njëri nga shtatë të mbijetuarit e tragjedisë së autobusit që mori flakë gjatë ecjes në Bullgari pas kthimit nga një udhëtim turistik nga Turqia.
Sulejmani arriti që të thyente xhamin dhe të hidhej nga autobusi në momentin që u përfshi nga flakët dhe dyert u bllokuan.
Ai ndihmoi edhe gjashtë persona të tjerë të që dilnin nga autobusi duke i shpëtuar, përfshirë edhe të fejuarën e tij.
Një gjest heroik, i cili është pasqyruar edhe në mediat serbe, pasi i riu me kombësi shqiptare dhe shtetësi serbe, jeton në Luginën e Preshevës.
Me germa kapitale, gazeta serbe “Blic” shkruan: “NJË HERO I VËRTETË”. “Një shtetas serb, edhe pse i plagosur, ndihmoi në evakuimin e shtatë pasagjerëve në një aksident të tmerrshëm në Bullgari”, shkruan më tej artikulli.
Autoritetet serbe i kanë uruar shërim të shpejtë, ndërsa ambasadori e ka vizituar në spital në Bullgari. “Shtetasi ynë Lulzim Sulejmani, vetë i plagosur në një aksident të tmerrshëm në afërsi të Sofjes, ka ndihmuar në evakuimin e pasagjerëve”, shkruan ministria e Jashtme serbe. Ai ka deklaruar se shoferi në momentin e aksidentit ka gjasa ta ketë zënë gjumi.
“Shoferin e zuri gjumi. Autobusi u përplas me bordurën dhe më pas plasën gomat. Më pas ai u përfshi nga flakët. I gjithë autobusi ishte mbushur me tym. Theva xhamin dhe u hodha matanë bashkë me të fejuarën dhe disa persona të tjerë. Në autobus dëgjoheshin shumë britma. Pastaj nuk e di çfarë ndodhi, pasi fillova të eci dhe u largova të paktën 200 metra nga autobusi”, – tregon Sulejmani.
Ai pohon e kishte qenë katër ditë me të fejuarën e tij me pushime në Turqi. Sipas tij, shkak i vetëm i aksidentit është përgjumja e shoferit.
Dy ditë më parë, Sulejmani kishte postuar foto në rrjetet sociale bashkë me partneren e tij gjatë pushimeve në Stamboll. Zyrtarët bullgarë kanë deklaruar se do të jetë shumë e vështirë për të identifikuar shumicën e viktimave për shkak të djegies.
Aksidenti i një dite më parë në Bullgari ka marrë 46 jetë, mes të cilëve 12 janë fëmijë. Shumica e viktimave janë 25 deri në 30 vjeç. Ndërkohë shtatë persona të mbijetuar janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Shkaku i përplasjes nuk është konfirmuar ende, megjithatë dyshimet janë se autobusi goditi një trafik-ndarëse në autostradë dhe më pas mori flakë. Flakët nisën në pjesën e përparme të autobusit, duke u lënë kohë atyre që ishin ulur në sediljet e fundit të gjenin kohë për të shpëtuar.
Ndërkohë, Ministria e Transportit të Maqedonisë, ka nisur procedurën për heqjen e licencës së “Besa Transit”, kompanisë që i përkiste autobusi në fjalë.
Sipas ministrit të Transportit, Blagoy Bochvarovski, “Besa Trans”, ka operuar në nivel ndërkombëtar pa leje për autobusin e caktuar, duke mos u regjistruar në bazën elektronike të të dhënave të ministrisë. Licenca e vitit 2018 për “Besa Trans” është shkelur nga kompania dhe për këtë arsye ka nisur një procedurë për heqjen e saj.