Kryetari i Shoqatës Kulturore “Çermenika 2017”, z. Behar Almeta, në një intervistë për gazetën “Zana e Çermenikës”, rrëfen tre vitet e jetës së kësaj shoqate. Çfarë ka arritur kjo shoqatë, cilat ishin aktivitetet më domethënëse dhe cilat janë objektivat e ardhshëm për t’i rikthyer Çermenikës vëmendjen që meriton. Një rrëfim interesant i zotit Almeta.
Shoqata Kulturore “Çermenika” 2017” bëri 3 vjet nga themelimi i saj, si do ta përkufizoni rrugën 3-vjeçare të shoqatës suaj?
Rrugën sfiduese, njëkohësisht të bukur dhe fisnike të Shoqatës Kulturore “Çermenika 2017”, do ta përkufizoja si një histori suksesi dhe arritjesh jo të vogla. Kur u themelua kjo shoqatë, synimet dhe dëshira për të bërë më të mirën për vendlindjen ishin të mëdha, por nuk e dinim se sa të suksesshëm do të ishim. Por sot, pas tre vitesh, ndihem krenar për ato që kemi arritur. Mbi të gjitha, zbuluam se bashkëkrahinarët tanë kishin një dashuri të madhe për vendlindjen e tyre dhe gjithsecili u bë menjëherë pjesë e punës dhe detyrave që i kishim vënë vetes. Rikthimi i vëmendjes në Çermenikë është për ne arritja më e madhe, edhe nga ana shpirtërore.
Cilat mendoni ju se janë pikat kulminante dhe arritjet më të mëdha të aktiviteteve tuaja?
Shoqata Kulturore “Çermenika 2017″ ka zhvilluar shumë nisma dhe aktivitete në këto tri vite, por unë do të rendis vetëm disa prej tyre, që, në këndvështrimin tim, kanë qenë tejet të rëndësishme. Duke nisur nga rikthimi i Festës së Ditës së Verës në Çermenikë. Duhet të mos harrojmë se, siç dihet, kjo festë tashmë mbarëkombëtare, e ka origjinën nga zona jonë, por me kalimin e kohës, brezat e rinj kishin nisur ta harronin këtë fakt. Me rikthimin e festës në Çermenikë dhe mbulimin e saj mediatik, i rikthyem zonës famën e saj të dikurshme. Gjithashtu rikthyem edhe Festën së Fushë-Gurrës, si festë të të gjithë çermenikasve.
Edhe pse shoqata jonë është kulturore, ne i kemi kushtuar rëndësi edhe infrastrukturës, pasi kjo zonë prej kohësh është lënë në harresë, ç’ka ka sjellë dhe largimin e shumë banorëve. Ne arritëm të rikonstruksionin rrugën Funarës–Fushë Gurrë. Por nuk jemi mjaftuar me kaq. Kemi ndihmuar edhe familjet më në nevojë të zonës, si në ndihma ushqimore, por edhe financiarisht.
Dua të theksoj organizimin e dy Konferencave Shkencore (në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe Bashkinë e Librazhdit) në qytetin e Librazhdit; Financimi i disa librave shkencorë, si “Aranitët në Librazhd”, “Gjurmime nga vendlindja” i studiuesit çermenikas Ilmi Leka etj.; Promovimin në qytetin e Librazhdit të librit “Aranitë në Librazhd”, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe Bashkinë e Librazhdit; Promovimin e disa librave të autorëve Çermenikas, si Avni Alcani, Shaban Gjura, Agim Qoku. Propozim në Bashkinë e Librazhdit për t’iu dhënë tituj nderi studiuesve: Dhimitër S. Shuteriqi, Shahin Zharri etj.
Si do t’iu përgjigjeshit akuzave dhe fyerjeve të Shoqatës KA “Çermenika” drejtuar juve personalisht, por dhe bashkëpunëtorëve tuaj?
Me akuzat e tyre nuk do të merrem gjatë, sepse nuk meritojnë vëmendje. Do të rrëfej vetëm një ngjarje që më ka lënë përshtypje të thellë, nga njëra anë për fisnikërinë e treguar nga bashkëkrahinari ynë zoti Ruzhdi Murtini dhe veprimi i ulët i bërë nga shoqata e Ferit Ballës. Në pak radhë, ngjarja është kjo: Në kuadër të analizës së trevjetorit të shoqatës sonë, zhvilluam disa vizita informuese ku ndalëm edhe në fshatrat Kostenjë dhe Neshtë Mexixë. Pas mbarimit të këtij turi, morëm propozimin e kryetarit të degës që mbulon fshatrat Floq, Orenjë, Gurakuq, Rinas Ballgjin, z. Uran Kaza, që të ngrihet një degë e re shoqatës në fshatin Orenjë, sepse ngarkesa e kësaj dege ka qenë shumë e madhe. Bile në Orenjë ne shoqëroheshim nga disa prej banorëve dhe intelektualëve orenjas, si profesorët e nderuar Mahir Hyka dhe Ferit Toma. Për këtë arsye vendosëm të zhvillonim një takim në këtë fshat. Ndërkohë, takimi i Orenjës kishte një rëndësi të veçantë, pasi u zhvillua edhe promovimi i librit me poezi ”Oksigjeni im”, i autorit orenjas, mësuesit të nderur të këtij fshati, zotit Ferit Toma.
Të rikthehemi te ngjarja. Në zgjedhjet e degës së shoqatës në Orenjë, kryetar u zgjodh z. Ruzhdi Murtini, i cili e pranoi me kënaqësi detyrën. Dhe pikërisht nga këtu nis skandali. Në mënyrë të turpshme dhe të paprecedentë, shoqata e prof. Ferit Balla, shantazhuan z. Murtini në mënyrat nga më të ulta për të dhënë dorëheqjen. Kulmi i skandalit ishte edhe kërcënimi për largimin nga puna të djalit të zotit Murtini, pasi punonte në një kompani private, që drejtohej nga një njeri i Ferit Ballës. Për këtë arsye, i gjendur nën një presion të turpshëm, z. Murtini më telefon i shqetësuar për të më treguar presionet që po haste. Si kryetar i shoqatës i rekomandova të vepronte sipas vullnetit të tij, sepse në shoqatën tonë, çdo anëtar është i lirë të veprojë sipas dëshirave të veta. Por përgjigja e tij ishte një surprizë. Ai më tha: “Si nipi i dy dëshmorëve, nuk e jap dorëheqjen nga shantazhet e turpshme, e kam për nder që jam drejtues i degës dhe nuk dorëzohem para njerëzve të vegjël”. Por njerëzit e Ferit Ballës u treguan edhe më të turpshëm, vetëm pse zoti Murtini nuk dha dorëheqjen, i larguan djalin nga puna. Pas këtij veprimi, një tjetër kompani e punësoi djalin e zotit Murtini në një nga kompanitë e tij dhe sot ai është një ndër drejtuesit më të mirë të saj.
Ja pra. bëjeni vetë gjykimin se kush po e përçan Çermenikën. Kaq. Nuk dua të përmend raste të tjera skandaloze që ata kanë bërë, pasi nuk duhet t’iu japim më shumë rëndësi, për të mos rënë në nivelin e tyre baltosës. Çermenikasit janë të zgjuar për të kuptuar se kush punon dhe se kush merret me propagandë boshe dhe veprime të ulta.
Cili është çelësi i suksesit të shoqatës suaj?
Mendoj se çelësi i suksesit tonë është harmonia dhe dashuria për vendlindjen që e karakterizon çdo anëtar të shoqatës, por edhe demokracia që kemi vendosur në drejtimin e shoqatës, ku mendimi i secili respektohet dhe vlerësohet. Pas tre vitesh jetë të shoqatës, ndihem i vlerësuar nga korrespondenca që kam me të gjithë çermenikasit, brenda dhe jashtë atdheut. Falenderimet dhe mirënjohja e tyre për punën dhe arritjet tona, që ata i kanë shprehur jo vetëm në telefonin tim, por edhe në faqen e Facebook të shoqatës “Çermenika”, ku do të gjeni me qindra mesazhe të ardhura nga e gjithë bota, për mua janë vlerësimi më i madh dhe më japin forcë për të vazhduar më tej.
Si do ta përkufizoni rrugëtimin tuaj në drejtimin e shoqatës, pasi këtë vit përfundon edhe mandati i juaj 3-vjeçar?
Rrugëtimin tim në drejtimin e kësaj shoqate të mbarë çermenikasve tashmë do e përkufizoja me një fjali: “Puna që kemi nisur duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm”. Nuk duhet të ndalemi. Ndjej një detyrim, por edhe një dashuri të pamasë për vendlindjen time dhe dua ta shoh një krahinë që nesër të ketë gjallërinë që ka pasur dikur, lulëzimin e shtëpive të rrënuara dhe, pse jo, një zonë turistike atraktive për çdo kënd që dëshiron ta vizitojë.
Çermenika është krahina e jonë e përbashkët. Ajo është e të gjithëve: e të majtëve, të djathtëve, komunistëve, ballistëve, legalistëve, socialistëve, demokratëve etj. A duhet që shoqatat të bëjnë propaganda në mbështetje të partive politike, aq më tepër që vitin tjetër janë edhe zgjedhjet parlamentare?
Jo. Një shoqate kulturore nuk ia lejon as statuti, as etika të bëjë propagandë në favor të një partie politike. Por edhe ne vetë si drejtues, që në fillim të themelimit të shoqatës, vendosëm që shoqata do të merrej vetëm me çështje kulturore, historike, dhe sociale. Bindjet politike janë personale dhe ne nuk ndërhyjmë në asnjë rast në zgjidhjet e askujt sepse jemi në demokraci dhe liria për të të zgjidhur i përket gjithkujt, por dhe t’i përkasësh ndonjë partie politike nuk do të thotë që nuk duhet të jesh pjesë e një shoqate, e cila, si parti, ka vetëm vendlindjen. Në shoqatën tonë ka mjaft anëtarë që i përkasin partive të ndryshme, por ne kemi një pakt brenda shoqatës për të mos bërë politikën e asnjë partie, por mbledhim forcat dhe i gjendemi vendlindjes për ta ndihmuar atë sipas mundësive tona. shoqatës tjetër është zgjedhja e tyre.
Në krahinën tonë ekzistojnë disa shoqata kulturore, si Shoqata KA “Çermenika”, Shoqata “Çermenika” e Lunikut, Shoqata “Dorëzi”, Shoqata “Qarrishta”, Shoqata “Çermenika 2017”, Shoqata AK Letëm Koshorisht, Shoqata Kuturman-Marinaj etj. A duhet të bashkohen të gjitha shoqatat çermenikase në një grupim (shoqatë) të vetëm? Nëse jo, a mund të organizohen aktivitete kulturore të përbashkëta?
Krahina e Çermenikës është e madhe dhe secili fshat ka zgjedhur të ketë përfaqësuesit e vet, bashkimi do të ishte diçka fantastike, por duhet të ketë vullnetin e të gjithave shoqatave dhe drejtuesve të tyre. Organizimi i përbashkët i aktiviteteve të ndryshme kulturore, artistike, kulinare, etj, do ishte një gjë shumë e bukur dhe do mirëpritej nga të gjithë.
Gazeta “Zana e Çermenikës” gjithashtu mbush 3 vjet nga dalja e numrit të parë në dhjetor 2017, a e ka përmbushur kjo gazetë pritshmërinë e lexuesit çermenikas dhe jo vetëm, dhe ç’farë do të shtonit, apo cila ishte thirrja juaj ndaj intelektualëve që jetojnë në zonën e Çermenikës por edhe në çdo skaj ku jetojnë dhe punojnë bashkëkrahinarët tanë?
Gazeta “Zana e Çermenikës” është një gazetë shembull për të gjithë. Kjo gazetë, e cila ka marrë vëmendjen e të gjithë bashkëkrahinarëve tanë kudo ku ajo shkon fizikisht, por edhe elektronikisht, ka pasqyruar me korrektësi çdo aktivitet, histori, lajme, figura e personalitete të krahinës e më tej dhe është sot zëri i çdo çermenikasi kudo ku jeton. Dhe jo vetëm ka përmbushur pritshmëritë, por edhe me punën dhe përkushtimin e drejtuesve të gazetës, të cilët gjej rastin t’i uroj dhe t’i përshëndes për punën e palodhur dhe përkushtimin që kanë në daljen muaj për muaj të kësaj gazete. Ajo që mendojmë së bashku me drejtuesit e gazetës është që të shtojmë më shumë rubrika rinore dhe me kronika më të zgjeruara nga fshatrat e Çermenikës, për këtë dua t’iu bëj thirrje të gjithë mësuesve intelektualëve të çdo fushe, si dhe të rinjve që të bëhen pjesë e lajmit të gazetës, duke qenë më afër shqetësimeve, por edhe gëzimeve. Një falenderim të veçantë kam edhe për një ndër sponsorët e gazetës, z. Gazmir Alcani.
Kemi dhe një pyetje të fundit për ju, zoti Almeta. Në se pas zgjedhjeve, ju do të rikonfirmoheni përsëri në krye të shoqatës, cili do të jetë objektivi i juaj për një mandati të ri 3-vjeçar?
2020-ta, ka qenë dhe është një vit shumë i vështirë për të gjithë shqiptarët. Pas tërmetit të fuqishëm që la pas viktima dhe shkatërrime, u shfaq edhe pandemia globale Covid-19, e cila ka tronditur globin dhe po lë pas pasoja të rënda, si në humbje jetësh, ashtu në ekonomi dhe në shëndetin mendor të njerëzve. Që në mars të këtij viti ne kemi pezulluar çdo aktivitet me më shumë se 10 persona për shkak të pandemisë. Zgjedhjet duhej të mbaheshin në 11 nëntor 2020, por kryesia, në një mbledhje online, vendosi t’i shtyjë në të ardhmen, në një moment më të përshtatshëm. për të mos rrezikuar grumbullimet dhe infektimet e njerëzve. Pra, derisa të zhvillohen zgjedhjet, do të vazhdoj të jem kryetar në detyrë i shoqatës. Kur kryesia të shpallë datën e zgjedhjeve të reja, unë do të paraqes kandidaturën time për një mandat të dytë. Nëse anëtarët e shoqatës do të ma besojnë sërish drejtimin e shoqatës, do të kem një program edhe më ambicioz se në mandatin e parë, ku mund të përmend disa pika shkurtimisht:
– Studimi dhe evidentimi i vlerave më të mira të trashëgimisë kulturore e historike të krahinës së Çermenikës;
– Zgjerimi i degëve të shoqatës sonë në të gjithë krahinë, por edhe në qytetet ku banojnë çermenikasit, si edhe jashtë Shqipërisë;
– Organizimi i aktiviteteve të ndryshme kulturore, shkencore, sociale dhe sportive, si: tubime përkujtimore, koncerte artistike, sesione shkencore, ekspozita arti, panaire, etj.;
– Në bashkëpunim me Presidencën dhe Bashkinë e Librazhdit, do të nderojmë me dekorime, por jo vetëm, personalitetet e krahinës së Çermenikës, por edhe të personaliteteve të tjera që kanë dhënë kontribute për krahinën e Çermenikës;
– Sensibilizimi i pushteti qendror dhe lokal për infrastrukturën rrugore, por edhe për të ndihmuar familjet në nevojë, si edhe rikthimin e vëmendjes në Çermenikë.