Aktualitet Shoqërohen në polici 15 persona, mes tyre kreu i PD-së Fier

Shoqërohen në polici 15 persona, mes tyre kreu i PD-së Fier

15 persona janë shoqëruar të shtunën në disa komisariate të kryeqytetit menjëherë sapo protesta e opozitës ka përfunduar.

Mes të shoqëruarve është dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike të qarkut të Fierit, Luan Baçi. Shoqërimin e kreut të PD-së Fier, PD e quan hakmarrje të Edi Ramës ndaj Fierit.

Policia e konsideroi zhvendosjen e protestës së opozitës para Parlamentit të paligjshme me argumentin se nuk është lajmëruar më parë.

Për tu njohur me situatën, në policinë e Tiranës kanë shkuar ish-deputetët e PD-së Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj.

Ndërkohë policia e shtetit informon se menjëherë pas mbylljes së tubimit, “në vendin ku pati akte dhune mbi forca e rendit dhe ndaj institucionit të rëndësisë së veçantë,” u ngrit një grup i posaçëm hetimor.

Pas shoqërimit të protestuesve ka reaguar dhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili deklaron se policia e shtetit u vu në shënjestër të dhunës ndaj Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa në policinë e Tiranës ka mbërritur dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.