Kandidati për deputet i LSI në Tiranë, Eltion Joka 30 vjeç është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës pasi akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje. Ai është filmuar nga një kamera e fshehtë duke i dhënë para një personi për blerje votash.
Lidhur me këtë çështje, është ndaluar nga policia 30-vjeçari Elis Babo, i akuzuar për korrupsion pasiv në zgjedhje.
Në kuadër të procedimit penal, datë 23.04.2021 të SPAK dhe bazuar në pamjet filmike të transmetuara në media dhe rrjete sociale, këta dy shtetas janë të dyshuar për një rast korrupsioni në fushatën zgjedhore.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar disa kontrolle por deri tani nuk është bërë e mundur kapja e Eltion Jokës.
Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të Elis Babo për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, dhe në ngarkim të Eltjon Jokës për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Pamjet e këtij rasti të dyshuar për blerje votash u publikuan në media një ditë më parë. Dje reagoi edhe vetë Eltion Joka në rrjetet sociale, duke i konsideruar montazh pamjet filmike.