Një punonjës policie është shpallur në kërkim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pasi një ditë më parë u përfshi në një aksident dhe gënjeu për rrethanat.
Sipas AMP, nënkomisari me iniciale A.A. përplasi me makinë ditën e martë një 13-vjeçar me iniciale O.S. Ky i fundit mbeti i lënduar dhe pasi mori ndihmë mjekësore në Spitalin e Korçës u largua për në banesë.
Ndërkohë, në vendngjarje shërbimeve të policisë iu prezantua si drejtues mjeti vëllai i policit A.A., duke marrë përsipër ai aksidentin.
Por më vonë nga kqyrja e pamjeve filmike u vërtetua se makina që përplasi fëmijën drejtohej nga punonjësi i policisë A.A.
Ky i fundit është shpallur në kërkim dhe akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit dhe largim nga vendi i aksidentit.
Ndërsa vëllai i tij M.A. akuzohet për deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ai po hetohet në gjendje të lirë.