Qeveria ka një lajm të mirë për festat e fundvitit për kategorinë e pensionistëve dhe atyre me ndihmë ekonomike.
Ndonëse ende nuk është zyrtarizuar si vendim, burime nga Ministria e Financave thonë se edhe këtë fundvitit do të ketë shpërblime për festat.
Mësohet se masa do të variojë nga 2.5 deri në 3 mijë lekë.
E njëjta shumë është ndarë edhe një vit më parë për kategorinë e familjeve me ndihmë ekonomike, ndërsa për herë të parë në 2016, pensionistët morën 6 mijë lekë shpërblim.
Burime nga Ministria e Financave thonë se përllogaritjet do të nisin gjatë muajit dhjetor, si për përcaktimin e fondit ashtu edhe për saktësimin e shumës për secilën kategori. Ndërsa në relacionin e aktit normativ të miratuar pak kohë më parë në kuvend është parashikuar një rritje e fondit të sigurimeve me 1.8 miliard lekë, para të cilat përkthehen në bonus për pensionistët.
Në total janë 80 mijë familje me ndihmë ekonomike si dhe 650 mijë pensionistë.
Çdo vit qeveria ka shpërndarë shpërblime për festat e fundit, por pjesë e skemës nuk ka qenë administrata publike.