Aktualitet Shpërndanin kokainë, arrestohen dy persona

Shpërndanin kokainë, arrestohen dy persona

Një operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për goditjen e shpërndarjes së drogave të forta ka vënë në pranga 2 shtetas.

Policia njofton se janë sekuestruar 129,2 gram kokainë, 2050 euro, një sasi prokusori (përzierësi) dhe një automjet.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, finalizuan me sukses operacionin antidrogë të koduar “Epilog”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Elton Adili, 41 vjeç, banues në Korçë dhe Andi Duka, 44 vjeç, banues në Elbasan.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se dy shtetas në lagjen nr. 10, Korçë, ushtronin aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, shërbimet e policisë organizuan veprimet dhe bënë të mundur lokalizimin e tyre.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë në përdorim nga Adili, në të cilën ndodhej edhe Duka, u gjet 90.2 gram lëndë narkotike e dyshuar kokainë, 120.2 gram prokusor (përzierës) dhe 1 peshore elektronike. Gjithashtu gjatë kontrollit fizik të shtetasit E. A., si edhe në mjetin e tij tip “Volkswagen Golf”, iu gjetën pesë doza me peshë 1.4 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Në vijim të veprimeve të mëtejshme procedurale, u ushtrua kontroll edhe në banesën e Dukës, në qytetin e Elbasanit, ku u gjet 37.6 gram lëndë e dyshuar kokainë.

Gjatë këtij operacioni, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 129.2 gram lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 120.2 gram prokusor, 2050 euro, 1 automjet tip “Volksëagen Golf” dhe 3 aparate celularë.

Po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje”, njofton policia.