Një grup alpinistësh është shpëtuar pas 12 orësh nga Policia e Shkodrës. Siç bëhet me dije prej njoftimit zyrtar, ata kishin mbetur të bllokuar prej terrenit malor në Bogë të Malësisë së Madhe, pasi njëri prej tyre kishte dëmtuar këmbën.
“Pas 12 orësh operacion kërkim-shpëtimi, në kushte të vështira atmosferike dhe gjeografike, Policia ndihmon një grup alpinistësh të cilët kishin mbetur të bllokuar në një terren malor pasi njëri prej tyre e kishte të pamundur lëvizjen sepse kishte dëmtuar këmbën.
Operacioni i kërkim-shpëtimit, gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, u krye nga Policia Alpine e Forcave Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe me Emergjencat Civile, si dhe një grup vullnetarësh. Rreth orës 16:50, të datës 04.02.2024, është marrë njoftim se një grup prej 5 alpinistësh shqiptarë kishin mbetur të bllokuar gjatë eksplorimit, në vendin e quajtur “Maja e Çardakut”, Bogë, pasi njëri prej tyre kishte dëmtuar rëndë këmbën.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi dhe pas 12 orësh kërkime gjatë natës dhe gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, është bërë e mundur gjetja dhe shpëtimi i grupit të alpinistëve. 26-vjeçari që kishte dëmtuar këmbën është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër dhe është jashtë rrezikut për jetën”, thotë policia për rastin.