Nga Miron Çako
Shpifja është një gënjeshtër e paramenduar në një mendje të ligë, plot xhelozi, smirë, urrejtje, armiqësi, lakmi me motive të dobëta, me një plan të caktuar: për të shkatërruar, emrin, nderin, veprën dhe pasurinë e tjetrit.
Shpifja, pavarësisht se në kodin penal nuk përcaktohet si krim më i rëndë se vrasja, ajo në vetvete është më e rëndë se vrasja, sepse vrasësi, me mjetet e krimit si thikë, armë, etj, të vret vetëm trupin, ndërsa shpifësi, me armën verbale të shpifjes, të vret edhe shpirtin. Shpifja të vret trupin dhe shpirtin, sepse shumë njerëz të viktimizuar prej saj, e përballojnë keq shpifjen, bien në hidhërim dhe në dëshpërim dhe kjo gjendje e rënduar psikologjike, bëhet shkak për dëmtime të shëndetit mendor edhe trupor, me rrezik për jetën, me sëmundje si infarkte, prishje gjaku, kancer, që të çojnë në vdekje të parakohshme ose në vetëvrasje. Apostull Jakovi e cilëson gjuhën që shpif: “E keqe paqetësueshme, plot vrer që sjell vdekjen”(Jakovi 3:6-8).
Por shpifja të vret edhe pas vdekjes, sepse vazhdon edhe mbas vdekjes t’ia nxijë emrin në mënyrë të pariparueshme viktimës. Dramaturgu i madh Ëilliam Shakespeare (1564-1616), te tragjedia e Otellos, shkruan: “Kush vjedh kuletën time, vjedh plehra, diçka, asgjë… Por ai që zhvat prej meje emrin tim të mirë, më vjedh mua atë që nuk e pasuron, por mua më bën të varfër me të vërtetë”.
Më ka bërë përshtypje një histori e trishtuar, se si një njeri i ndershëm ra në hidhërim të madh nga një shpifje që iu bë nga një i panjohur. Ai nuk i përballoi dot thashethemet që u përhapën për shkak të shpifjes edhe si pasojë, u sëmur për vdekje. Shpifësit, që ishte një nga kolegët, i erdhi keq dhe u pendua për çfarë kishte bërë dhe shkoi edhe u rrëfye te kolegu i tij duke i thënë: “Më fal, mik, unë shpifa për ty”. –“Të fal, or mik”, i tha i sëmuri, “por më bëj një nder të fundit”. –“Patjetër do ta bëj me kënaqësi, çfarë të duash”, u shpreh shpifësi i penduar. I sëmuri i tha: “merre jastëkun tim edhe nxiri puplat dhe pastaj shpërndaji nga dritarja”. Shpifësi, i penduar, u çudit nga kjo kërkesë por, për t’i bërë qejfin mikut të tij, i shpërndau puplat nga dritarja, ti cilat filluan të përhapeshin gjithandej nga era. “E bëra mik”, tha shpifësi. “Mirë, tani shko edhe mblidhi përsëri”, i tha i sëmuri. “Por kjo është e pamundur. Si mund t’i mbledh gjithë puplat? Ato i ka shpërndarë era”, tha i shqetësuar shpifësi i penduar. “E drejtë”, u përgjigj i sëmuri, “por kështu miku im, është e pamundur t’i mbledhësh përsëri mbrasht shpifjet, që goja jote i vuri në veshët dhe gojët e të tjerëve për mua”.
Siç na tregon dhe historia, pasojat e shpifjes janë shpesh të pariparueshme. Një fjalë e urtë indiane thotë: “Helmi i gjarprit të vret ty, por helmi i shpifjes është krejt ndryshe – hyn në veshin e njërit dhe vret dikë tjetër”.
Viktimat e shpifjes janë të shumta, sepse shpifja dëmton shumë nga aspektet shoqërore të njerëzve, psh sa shumë humbën vendin e punës dhe u hodhën në rrugë nga shpifjet e kolegëve të tyre xhelozë dhe të ligj, sa vajza u dëmtuan moralisht ose vranë veten, se u shpif për nderin nga ata që nuk i bënë dot për vete, ose nga shoqet e tyre xheloze, sa dashuri të sinqerta përfunduan në urrejte nga shpifja, sa martesa u prishën, bashkëshortë u ndanë, ose edhe vranë njëri-tjetrin si rezultat i shpifjes i një pale të tretë, sa gjyqe të padrejta dhe sa viktima të pafajshme u dënuan kot nga shpifja, sa sherre midis vëllezërve, miqve, shokëve, sa e sa krime, luftra dhe sa shumë lot pa ngushëllim, për viktimat e shpifjes, ashtu si edhe i urti Solomon (970 -931 pr.K) thotë: “Kështu u ktheva dhe mendova për gjithë shtypjet që ndodhin nën diell; dhe ja, lotët e të shtypurve (që iu kanë shpifur), të cilët nuk kanë njeri që t’i ngushëllojë” ( Predikuesi 4:1).
Që dikush të jetë i paprekshëm nga shpifja, duhet të këtë një karakter shumë të fortë, ose të jetë indiferent, por zakonisht njerëzit janë të ndjeshëm edhe i vret opinioni i të tjerëve, prandaj njerëzit nuk e përballojnë dot shpifjen dhe viktimizohen prej saj. Siç thotë edhe Renan, një filozof dhe skolar biblik:“Mund të shpëtosh nga helmi i nepërkës, por nga helmi i shpifjes jo”.
Shpifësit janë njerëz të ligj, mburracakë, hakmarrës, frikacakë që i shmangen përballjes me vlera të ndershme, ndaj dhe shpifësi është njeri pa karakter, ashtu siç e cilëson filozofja Stael: “Shpifja është fuqia e frikacakëve” ndërsa shkrimtari anglez Xhonson, thotë: “Shpifja është hakmarrja e burracakëve” dhe një thënie anonime thotë: “Çnderimi më i madh është të përdorësh shpifjen për të shfaqur veten”.
Shpifësit, pavarësisht se duken se janë shkatërrues të të tjerëve, ata janë së pari armiq të vetes së tyre, gjithmonë të trishtuar, sepse shpifja buron nga një zemër e mbushur me vrerin e smirës, zilisë, hakmarrjes dhe lakmisë. Këto pasione janë si nepërka që e helmojnë vetë zemrën e shpifësit, prandaj ata kanë një fytyrë të prishur, tregues kjo i shpirtit (zemrës) të lig, ashtu siç thuhet në një fjalë të urtë: “Uthulla e keqe prish enën e vet”. Shpifësi është njeri i vetmuar dhe i urryer, askush nuk e do, jo vetëm njerëzit e ndershëm, por edhe të korruptuarit, sepse të gjithë ia kanë frikën dhe i qëndrojnë larg, si gjarprit që nuk ka besë edhe pickon çdo gjë që ka pranë, ashtu siç tha filozofi cinik Diogjen (412-323 pr.K), kur iu bë pyetja: “Cila kafshë kafshon më keq?”. Ai u përgjigj: “Nga të egrat shpifësi, nga të butat mburracaku”.
Mund të themi pa ndrojtje se shpifësi është një ikonë dhe bashkëpunëtor i djallit (dhiávolos) që, si emërtim, do të thotë shpifës. Ai shpifi i pari te njerëzit kundër Perëndisë, por edhe te Perëndia kundër njeriut dhe tek njerëzit midis tyre, prandaj edhe Krishti, Biri i Perëndisë, që u shfaq në tokë për të prishur punët e djallit, u thotë atyre që shpifin: “Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrena, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës.” (Joani 8:44).
Djalli “gjarpri” dinak dhe shpifës, për të gjitha shpifjet një ditë do të dënohet përjetësisht në humnerat e ferrit, ashtu si na thuhet te libri i Zbulesës: “Kështu dragoi i madh, gjarpëri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun, u hodh mbi tokë; me të u hodhën edhe engjëjt e tij.Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell që thoshte: “Tani arriti shpëtimi, fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe pushteti i Krishtit të tij; sepse u hodh poshtë paditësi (shpifësi) i vëllezërve tanë, ai që i padiste përpara Perëndisë tonë ditë e natë”(Zbulesa 12:9-10). Jo vetëm djalli me demonët, por edhe gënjeshtarët, shpifësit, do të kenë të njëjtin dënim:“Kurse… dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë”(Zbulesa 21:8).
Shpifësit nuk janë thjesht gënjeshtarë, por njerëz të pashpirt, punëtorë të paudhësisë :”të mbushur plot me çdo padrejtësi, kurvërim, mbrapshtësi, lakmi, ligësi; plot smirë, vrasje, grindje, mashtrim, poshtërsi, mashtrues, shpifës, armiq të Perëndisë, fyes, krenarë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve, të paarsyeshëm, të pabesë, pa dashuri të natyrshme, të papajtueshëm, të pamëshirshëm. Por ata, ndonëse e kanë njohur ligjin e Perëndisë sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i kryejn.” (Romakëve.1:29-32). Prandaj shpifësit janë të urryer edhe të dënuar nga vetë Zoti, ashtu siç na thotë psalmisti: “Do të shfaros atë që shpif fshehtaz kundër të afërmit; nuk do të duroj njeriun hundëpërpjetë dhe zemërkrenar” (Psalmi 101:5).
Jo vetëm njerëz të thjeshtë u bënë pre dhe viktimat të shpifësve, që përfitojnë nga dobësitë edhe gabimet e tyre, por edhe njerëz shumë të moralshëm u dëmtuan padrejtësisht nga shpifja, si mbretër, profetë, të drejtë, por, mbi të gjithë njerëzit e virtytshëm, u akuzua me shpifje të ulëta edhe vet Biri i Perëndisë edhe Biri i njeriut, Jisu Krishti. Judenjtë plot smirë shpifën kundër Tij, që të mund ta dënonin me vdekje në kryq, siç na përshkruhet në Ungjill: “Shumë veta, në fakt jepnin dëshmi të rreme kundër tij; por dëshmitë e tyre nuk përkonin. Atëherë disa u ngritën dhe jepnin dëshmi të rreme kundër tij duke thënë: “Ne e kemi dëgjuar se ka thënë: “Unë do ta shkatërroj këtë tempull të bërë me duar, dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër që nuk është bërë me duar”. Por as mbi këtë dëshmia e tyre nuk përkonte…Ju e dëgjuat blasfeminë, ç`ju duket juve?” Dhe të gjithë gjykuan se ai meritonte vdekjen” (Marku 14:56,59,64).
Jo vetëm atëherë judejntë, por edhe sot ndaj Zotit Jisu Krisht guxohet edhe shpifet në mënyrat më të ulëta edhe fyese, nga njerëz të ligj, duke e paraqitur të pamoralshëm, si te libri me shpifje të ulta blasfemuese “Engjëj dhe djaj”, i shkrimtarit blasfemues Dan Braun.
Shpifjen duhet ta përballojmë me qetësi dhe pavarësisht se është një energji negative që sulmon vrullshëm psikikën tonë, duhet ti qëndrojmë kundra me pozitivitet, me një mendje të ekuilibruar, duke mos lejuar që shpifja të na rëzoj arsyen e të na hidhërojë shpirtin. Madje, shpifja duhet parë si një tregues i përparimit tonë në rrugën e së mirës e të progresit, edhe pse armiqtë xhelozë nuk do të ndalin së shpifuri kundër nesh, siç edhe thotë psalmisti David: “Edhe ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqe, shpifin kundër meje sepse unë ndjek të mirën” (Psalmi 37).
Aleksandri i Madh (356-323 pr.K) i përballonte me qetësi dhe me pozitivitet shpifjet që i bëheshin. Kur i thoshin se: “Dikush ka shpifur kundër teje”, ai përgjigjej: “Kjo gjë nuk më shqetëson, sepse fëmijët e rrugës gjuajnë me gurë pemët që kanë fruta edhe jo ato që kanë gjethe”. Po ashtu edhe të tjerë njerëz të urtë japin nga eksperienca e tyre të njëjtën mënyrë pozitive për përballimin e shpifjes. Suift Xh. ka thënë: “Shpifja zakonisht godet njerëzit e drejtë, siç edhe krimbat i sulen frytit të mirë” dhe Braun Xh. thotë: “Nëse dikush shpif kundër teje, lër jetën tënde ta përgenjështrojë atë”.
Por një nga mënyrat më të përsosura për të përballuar shpifjen, janë fjalët e Krishtit: “Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush” (Mateu 5:11-12).
Kur nuk na shqetëson ndërgjegjja për shpifjet, Apostull Petro këshillon ta përballojmë qetësisht dhe pozitivisht shpifjen e cila do të kthehet në bumerang ndaj vet shpifësit: “duke pasur ndërgjegje të mirë, që, kur t’ju padisin si keqbërës, të turpërohen ata që shpifin për sjelljen tuaj të mirë në Krishtin” (1 Pjetri 3:16).
Edhe diçka tjetër; duhet të kemi kujdes dhe të ruhemi nga njerëzit, aq sa mundemi, të mos i hapim zemrën çdokujt, ashtu siç na këshillon profeti Jeremia: “Të ruhet secili nga fqinji i tij dhe mos i kini besim asnjë njeriu, sepse çdo njeri nuk bën gjë tjetër veçse mashtron dhe çdo fqinj përhap shpifje”(Jeremia. 9:4). Po ashtu Zoti Krisht na thotë: “Ruhuni nga njerëzit” dhe “mos u jepni qenve (të pabesët) ç’është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave (imoralët), që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t’ju shqyejnë” (Mateu 7:6)
Dhe në qoftë se ankthi i shpifjes na mundon dhe nuk e përballojmë dot me forcat tona, gjëja më e mirë që mund të bëjmë është t’i lutemi Zotit: “Në ankthin tim i thirra Zotit, dhe ai m’u përgjigj. O Zot, më çliro nga buzët gënjeshtare dhe nga gjuha mashtruese” (Psalmi 120:1-2).
*Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit të Kryepiskopatës KOASH