Ekonomi ERE i përgjigjet shoqërisë GEN-1 Tirana: Shit-blerja e energjisë elektrike sipas rregullave

ERE i përgjigjet shoqërisë GEN-1 Tirana: Shit-blerja e energjisë elektrike sipas rregullave

Duke marrë shkas nga raportimet në media, mbi një ankesë të shoqërisë GEN-1 Tirana sh.p.k për zbatimin e procedurave të shit-blerjes së energjisë elektrike për vitin 2017, për periudhën Janar-Mars 2018 dhe kërkesës së shoqërisë GEN-I Tirana sh.p.k, për zgjerimin e hetimit në lidhje me kontratat ekskluzive të KESH sh.a për vitet 2017 dhe 2018, Enti Rregullator i Energjisë sqaron:

Më datë 10.04.2018, në një ankesë drejtuar ERE-s dhe për dijeni edhe Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë dhe Autoritetit të Konkurrencës, shoqëria GEN-I, ka pretenduar se në procedurat e shitjes-blerjes së energjisë elektrike dhe të optimizimit të portofolit të kryera nga KESH sh.a, konstatohen parregullsi në mënyrën sesi zhvillohen këto procedura.

Në zbatim të nenit 20, gërma ç), d), f), g) dhe nenit 22 të Ligjit Nr. 43/2015 “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, i ndryshuar, ERE ka kërkuar nga shoqëria KESH sh.a. një analizë të ankesës dhe pretendimeve të shoqërisë GEN-I Tirana sh.p.k, si dhe të informojë ERE-n për sa kërkuar nga GEN-I Tirana sh.p.k.

Shoqëria KESH sh.a ka dërguar në ERE informacion të detajuar lidhur me pretendimet e shoqërisë GEN-I Tirana sh.p.k.

Në vijim të informacionit të marrë nga shoqëria KESH sh.a dhe në zbatim të parashikimeve ligjore dhe rregullatore në fuqi, ERE ka ushtruar monitorim pranë shoqërisë në fjalë me objekt: “Ankimi i shoqërisë GEN-I Tirana sh.p.k., mbi zbatimin e procedurave të shit-blerjes së energjisë elektrike të kryera nga KESH sh.a. për vitin 2017 dhe periudhën Janar– Mars 2018” sipas një programi monitoromi të konsultuar edhe me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, të cilit i është vendosur në dispozicion raporti nga procesi i monitorimit të KESH lidhur me ankesën e “GEN-I Tirana” sh.p.k. I njëjti dokumentacion, më datë 21 Nëntor 2018, i është vendosur në dispozicion edhe Autoritetit të Konkurrencës, i cili në vijim të komunikimeve mes institucioneve tona, me shkresën nr. 601/2 Prot., datë 08.11.2018, ka kërkuar nga ERE mundësimin e Raportit të Monitorimit të kryer në lidhje me procedurat e tenderimit që KESH sh.a ka zhvilluar përgjatë vitit 2017 dhe vitit 2018.

Në lidhje me rezultatet paraprake të raportit të monitorimit të dërguar pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë si dhe Autoritetit të Konkurrencës, informojmë se nga procesi i monitorimit i kryer për shoqërinë KESH sh.a, rezulton se procedurat e shit-blerjes së energjisë elektrike të kryera nga kjo e fundit për periudhën 2017-2018 janë në përputhje me parashikimet e rregulloreve të miratuara nga Bordi i ERE.

Bordi i ERE në vendimin që pritet të marrë mbi raportin e monitorimit të paraqitur për shqyrtim dhe miratim nga grupi i punës, do të ketë mundësi të japë të dhëna të detajuara të procesit të monitorimit.

Gjithashtu nga ana e grupit të monitorimit propozohet që KESH sh.a, të  zhvillojë procedurat e tregëtimit të energjisë elektrike nëpërmjet një platforme elektronike, e cila do të shmangte pretendimet e natyrës së ankesës, objekt monitorimi.