Shqipëria dhe Italia firmosën marrëveshjen që i hap rrugë ngritjes së një komisioni të përbashkët ekonomik 10 vjet pas nënshkrimit të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Dokumenti u firmos në Tiranë nga Kryeministri Rama dhe Ministri i Jashtëm Italian, Luigi Di Maio.
Për kreun e qeverisë tre janë sektorët e përcaktuar si strategjikë në këtë bashkëpunim.
“Ne duam të nxisim dialogun në fokusin e temave të bashkëpunimit mes dy vendeve mbi planin e investimeve për Ballkanin, transport dhe infrastrukturë dhe energji e dixhitalizim“, tha Rama.
Sipas ministrit Di Maio, komisioni pritet të rrisë mundësinë tregtare dhe investimet në të dy vendet.
“Ky komision do të ngrejë një formë dialogu dhe ballafaqimi për mundësi tregtare dhe investimi për të dy vendet tona si dhe për të zgjidhur pikat kritika mes dy vendeve në kuadrin ekonomik”.
Kryeministri nënvizoi edhe faktin se Italia ka luajtur një rol të rëndësishëm për sigurimin e vaksinës antiCovid.
“Dua ta falenderoj ministrin për gatishmërinë për të qenë krejtësisht i hapur dhe i gatshëm në funksion të sigurimit të vaksinës për të cilën e gjithë bota është vendosur në lëvizje.”
Ndërsa ministri Di Maio konfirmoi angazhimin e qeverisë italiane për të qenë avokate e aspiratës europiane të Shqipërisë, duke bërë edhe një urim në shqip.
“Do të doja ta përfundoja më një frazë për miqtë shqiptarë Nuk jam i zoti të flas shqip siç flet Rama italisht: “Drejt Europës së përbashkuar”. Është një urim që mund t’i bëjmë njëri-tjetrit”.
“Një shqipe perfekte me dialekt napoletan”, ishte përgjigja me humor e kryeministrit.