24.4% e grave në vend konsiderohen obeze, sipas Anketës Demografike dhe Shëndetësore të INSTAT, të vitit 2018, për grup-moshën 15-59 vjeç.
Ky tregues matet me Indeksin e Masës Trupore (BMI), që shpreh raportin e peshës në kg ndaj gjatësisë në metër katror (kg/m2). Niveli mbi 30 konsiderohet obez, 25-29.9 mbipeshë, nga 18.5-24.9 është normal dhe nën 18.4 nën peshë.
Sipas të dhënave të tjera të Eurostat, Shqipëria renditet e treta në Europë, për nivelin e lartë të obezitetit të grave, pas Irlandës (28.1% e popullsisë) dhe Maltës (24.5). Pas nesh renditet Turqia (23.1%).
Nga vendet e rajonit të dhënat janë vetëm për Serbinë, ku përqindja e grave që konsiderohet obeze është 11.8%.
Nivelin më të ulët të obezitetit në Europë te gratë e kanë rumunët (8.3%) dhe italianët (11.4%).
Mesatarja e Bashkimit Europian është 14.1%.
Burrat më pak obezë në Shqipëri, ndryshe nga Europa
Sipas Eurostat, në të gjitha Shtetet Anëtare të BE, një pjesë më e lartë e burrave sesa gratë ishin mbipeshë në 2019, me diferencat më të mëdha të regjistruara në Luksemburg (59% e burrave kundrejt 38% e grave), Çeki (70% vs 51%) dhe Qipro ( 59% kundrejt 41%).
Në Shqipëri, obeziteti te burrat është më i ulët sesa te gratë. Sipas INSTAT 18.1% e meshkujve e kishin treguesin BMI mbi 30, duke u renditur në vendin e 13. Obeziteti më i lartë në Europë te meshkujt është në maltë (29.7%), Irlandë (24.5%), Hungari (23.7%).
Mesatarja e bashkimit Europian është 15.5%.
Ashtu si te gratë, niveli më i ulët i obezitetit është në Rumani (9.9%) dhe Itali (11.6%).
Qytetet më “elegante” dhe më të “shëndosha”
Sipas INSTAT, qytetet shqiptare ku gratë kanë nivelin më të lartë të BMI janë Elbasani (20.5%), Berati (20.3%), ndërsa më i ulëti është në Kukës (12.2%)
Për burrat, rekordin e mban Berati (20.8%), i ndjekur nga Fieri me 17.5% dhe Durrësi (17.2%).
Burrat fillojnë e shëndoshen pas moshës 50 vjeç, ku niveli i obezitetit arrin 31.5% për grupmoshën 50-59 vjeç, nga 13.4% për 15-49 vjeç. Edhe për gratë obeziteti kërcen pas kësaj moshe, duke arritur në 45.6% për grupmoshën 50-59 vjeç, nga 16.4% për 15-49 vjeç.
Të dhënat e INSTAT tregojnë për një lidhje mes nivelit arsimor dhe obezitetit. Sa më i ulët është niveli arsimor, aq më e lartë tendenca për të qenë më i shëndoshë, si për burrat ashtu dhe për gratë.
Dieta e pakontrolluar dhe mungesa e aktivitetit fizik po i çon shqiptarët me shpejtësi drejt obezitetit. Kjo situatë bëhet shkak, ndër të tjera, ndaj ekspozimit kundrejt sëmundjeve vdekjeprurëse.