Një ukrainas është ekstraduar drejt Greqisë, i kërkuar nga drejtësia greke, pasi dyshohet se është autori i një vrasjeje në shtetin fqinj.
28-vjeçari me inicialet M.Y. ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore greke më datë 29.10.2018, kanë lëshuar urdhër-arresti ndaj këtij shtetasi i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja” dhe “Armëmbajtja pa leje”, të parashikuara nga Kodi Penal grek.
Sipas Policisë shqiptare, “Më datë 25.04.2018, rreth orës 22:15, në sheshin “Exharcia”, Athinë, dyshohet se shtetasi ukrainas M. Y. në bashkëpunim me një shtetas tjetër ka sulmuar një shtetas me një shufër hekuri dhe më pas e ka goditur 6 herë me thikë duke i shkaktuar vdekjen”.
Shtetasi ukrainas është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare të Kakavijës më 5 mars të këtij viti dhe në momentin e kapjes ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë por është neutralizuar dhe prangosur. Ai udhëtonte në drejtim të Greqisë me kartë identiteti, pasaportë dhe patentë, të falsifikuara.