Superprojekti i marinës në Durrës i Emmar Grup ka marrë një vëmendje të veçantë edhe në mediat ndërkombëtare. Në një intervistë për rrjetin televiziv CNN, drejtori i Emmar Grup, Mohamed Alabbar, teksa flet për investimin me vlerë prej 2.5 miliardë në Portin e Durrësit, thotë se synimi i tij është të ndërtojë një ‘Europë të Re’.
“Kur shikoj Shqipërinë, kur shikoj se çfarë ndodh me qeverinë dhe se si po përpiqet të zhvillojë vendin atëherë mendova që të jem unë i pari aty, sepse gjithçka tregon se punët shkojnë mirë, turizmi ka rritje dyshifrore, ka një vijë bregdetare 450 kilometra të gjatë me pamje nga Greqia aty pranë”.
Për sipërmarrësin Alabbar, Shqipëria është fronti i dytë i investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas një projekti të parë të suksesshëm në Beograd.
“Këto vende kanë një rritje fantastike ekonomike, forcë punëtore të jashtëzakonshme, qeveritë që punojnë natë e ditë për të qenë pjesë e Europës së vërtetë. Vërtetë besoj që kjo funksionon mirë kudo në botë nëse e bën mirë me partnerët e duhur për të ndërtuar portin më të madh në detin Adriatik në Durrës me mbi 12 mijë apartamente, hotele, restorante e dyqane. Mendoj se për mua është si të kem një ëndërr që shkoj dhe e kthej në realitet”.
I pyetur për nivelin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Alabbar, thotë se kjo i përket të shkuarës dhe këto vende kanë lënë pas atë.
Pasi vlerëson qeveritë e Ballkanit që punojnë ditë e natë për të qenë pjesë e Europës së Vërtetë, kreu i kompanisë investitore, komenton edhe reputacionin negativ të Shqipërisë në trafikun e drogës dhe korrupsionin. Alabbar thotë se kjo i përket të shkuarës dhe këto vende kanë lënë pas atë.
“Fatkeqësisht Shqipëria ka një të shkuar për shkak të qeverive të mëparshme, mbase qysh para viteve 90. Dhe është përballur me të, i është dashur të kalojë në këtë fazë, asgjë nuk bëhet brenda një nate, por ata ja kanë dalë dhe të gjithë treguesit janë pozitiv sipas meje, prandaj po investoj në një projekt kaq të konsiderueshëm dhe jam shumë krenar që jam i pari në këtë aspekt”.
Ai thotë se realizimi i këtij projekti do bëjë që edhe shumë investitorë të tjerë të mëdhenj të mund të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.
Sa i përket rindërtimit pas tërmetit shkatërrues të nëntorit të 2019-ës, Alabbar thekson se projekti i investimit do të ndihmojë në këtë drejtim gjithashtu edhe për ta bërë Shqipërinë të njohur, duke tërhequr edhe investitorë të tjerë.
“Të ndërtosh portin më të madh në detin Adriatik në Durrës, me qindra apartamente, dyqane dhe qendra tregtare, ky investim për mua është një ëndërr që kam dhe po e bëj realitet.”