Niveli i lartë i edukimit dhe kërkimit shkencor e ndihmon një shtet të orientohet me lehtë drejt zhvillimit ekonomik dhe shfrytëzimit me efikasitet të kapitelit njerëzor dhe burimeve natyrore. Por Shqipëria duket se edhe në këtë drejtim është shumë dobët në raport me vendet e Europës por edhe në rajon.
Shqipëria ka numrin më të ulët të personelit në fushën e kërkim-zhvillimit ( R&D) në rajon e për rrjedhojë është e fundit për sa u përket fondeve që ka përfituar nga programi europian Horizon 2020, sipas një studimi të fundit mbi Edukimin dhe Kërkimin në Ballkanin Perëndimor. Horizon Europe është një nismë 7-vjeçare e Bashkimit Europian për kërkimin shkencor që synon të aplikohet nëpërmjet programit aktual Horizon 2020. Komisioni Europian ka hartuar dhe miratuar një plan për Horizon Europe për të rritur nivelet e shpenzimeve të shkencës së BE nga 50% gjatë viteve 2021-2027.
Të dhënat tregojnë se Serbia ka numrin më të lartë të personelit shkencor në rajon me rreth 2030 persona për 1 milion banorë. Më pas në renditje vjen Mali i Zi me 847 persona të aktivizuar në R&D për 1 milion banorë, Maqedonia me 754 persona për 1 mln banorë, Bosnja 366 persona për 1 mln banorë dhe e fundit renditet Shqipëria më 262 persona në fushën e kërkim-zhvillimit për 1 mln banorë.
Për rrjedhojë, Shqipëria renditet e fundit në rajon për fondet që Bashkimi Europian ka vënë për kërkimin shkencor gjatë periudhës 2014-2017.
Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria përfitoi vetëm, 1 9 milionë euro, ndërsa Serbia 60 milionë euro. Maqedonia dhe Bosnja përfituan secila nga 5.3 dhe 3.8 milionë euro.
Studimi vlerëson se kapacitetet e ulëta në infrastrukturën e njësive kërkimore në IAL, institutet, akademitë dhe numri i vogël i kërkuesve shkencorë është një problem i madh me të cilin ballafaqohet Shqipëria.
Ka gjithashtu mungesë të kurrikulave specifike në Institucionet e Arsimit të Lartë që të ofrojnë informacion më të thellë në kërkimet shkencore. Universitetet dhe institucionet e tjera kërkimore në Shqipëri gjithashtu kanë një mungesë totale infrastrukturore në zhvillimin e shkencës, teksa shihet se mungon edhe infrastruktura e thjeshtë si laboratorët, zyrat dhe bibliotekat.
Për rrjedhojë në programit Horizon 2020 për periudhën 2014-2017, Shqipëria ka numrin më të vogël të projekteve dhe roli i institucioneve shqiptare në këto projekte është i kufizuar vetëm si pjesëmarrës. Deri tani, nuk ka pasur asnjë projekt të fituar dhe të drejtuar nga institucionet shqiptare. Të dhënat e mësipërme tregojnë se Shqipëria dhe Kosova kanë nivelin më të ulët të absorbimit e fondeve në kuadër të programit Horizon 2020, i cili paraqet një program të pastër kërkimor shkencor. /MONITOR/