Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin për të hequr vizat me Federatën e Shën Kristoferit (St. Kitts) dhe Nevisit. Vendimi është firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe është bërë sot publik.
Në njoftim thuhet: “me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Federatës së Shën Kristoferit (St. Kitts) dhe Nevisit, për heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe të zakonshme, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.”
Nuk mund të thuhet se çfarë e bashkon Shqipërinë me Federatën e Shën Kristoferit që ndodhet në detin e Karaibeve. Kjo federatë përbëhet nga dy ishujt e Shën Kristoferit dhe Nevisit, me një sipërfaqe të përbashkët që arrin në 261 km2, ndërkohë që sipërfaqja e Tiranës është 1,110.03 km2.
Kjo federatë nuk mban rekordin vetëm si shteti më i vogël në të gjithë hemisferën perëndimore, por edhe për popullsinë që nuk arrin më shumë se 55 mijë. 92.5% e popullsisë së federatës është me prejardhje afrikane, ndërsa vetëm 2.1% kanë prejardhje evropiane.
Sa i përket indeksit të zhvillimit, Federata e Shën Kristoferit (St. Kitts) dhe Nevisit konsiderohet me nivel të lartë, duke u renditur e 72-ta në botë. Kjo federatë njihet edhe si ‘parajasë fiskale’ në Karaibe.