“Shqipëria ka hapur konkursin për sloganin më të keq të turizmit”.
Ky është titulli që hap një tjetër artikull të një medie të huaj që flet për strategjinë e gabuar të ndjekur nga Shqipëria për të promovuar turizmin.
“Telegraph” i referohet sloganit të bërë publik pak javë më parë, “Taken by Albania” që ka kuptimin e rrëmbimit ose të marrjes peng nga Shqipëria.
Ky slogan është i bazuar në filmin “Taken” të aktorit Liam Neeson, ku dy vajza amerikane rrëmbehen në Paris dhe shiten në tregun e prostitucionit nga gangsterët shqiptarë.
Kështu, ideatorët e spotit i bëjnë thirrje aktorit hollivudian që të “injorojë” stereotipet negative mbi kriminalitetin dhe të vizitojë Shqipërinë që të “rrëmbehet” nga bukuritë e saj.
Media britanike e sheh këtë strategji promovimi të turizmit si një mënyrë të çuditshme për tërheqjen e turistëve duke përdorur pengmarrjen.
Sikur të mos mjaftonte kjo, ajo shkruan se aktori Liam Neeson po kalon momentet më të vështira në karrierën e tij, pasi ka bërë një deklaratë mjaft raciste kur tha se dikur kishte dalë “për të vrarë një afro amerikan në shenjë hakmarrje pasi kishte përdhunuar shoqen e tij të ngushtë”.
“Nëse jeni duke kërkuar një ikonë të ekranit për të qenë një figurë kryesore për reklamën tuaj të re, dhe jeni duke shpresuar që të distanconi veten nga jehona e kriminalitetit, atëherë Liam nuk është, në këtë moment, ai që ju duhet”, shkruan “Telegraph”.
“Ky hap i gabuar është një turp, pasi Shqipëria ka shumë për të ofruar”.
“Shqipëria është një nga skajet e fshehura të Evropës dhe turistët duhet të këshillohen ta njohin atë”, vijon shkrimi.
Edhe portali “Quartzy” vinte në dukje strategjinë e gabuar për promovimin e vendit tonë.
“Fushata e Shqipërisë për turizmin tregon një të vërtetë: Vendet që nuk janë ndër destinacionet kryesore turistike në botë, shpesh bëhen subjekte të stereotipeve të padrejta si pasojë e paraqitjes së tyre në filma. Dhe nuk ka dyshim që gastronomia, kultura dhe peisazhi shqiptar e bëjnë atë një vend të këndshëm për t’u vizituar. Por të sjellësh në vëmendje (dhe shkarazi të tallesh) me problemin e vendit me trafikimin e qenieve njerëzore, është disi e tepruar!”- shkruhej në artikullin e portalit të famshëm.