Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan nuk ishte vetë prezent, por kishte një mesazh urimi gjatë ceremonisë që u zhvillua në Laç për rindërtimin. Gjatë një lidhjeje live, Presidenti turk tha se Shqipëria është miku dhe partneri i afërt i Turqisë në Ballkan.
“Me rastin e kësaj ceremonie ndjej një kënaqësi të madhe që jam me ju dhe nëpërmjet jush përshëndes gjithë Shqipërinë dhe vëllezërit shqiptarë. Shqipëria është miku dhe partneri i afërt i Turqisë në Ballkan. Ne shohim gëzimin e popullit shqiptar si gëzimin tonë dhe pikëllimin e popullit shqiptar si pikëllimin tonë”, tha Erdogan.
Erdogan u shpreh se pas tërmetit të 21 shtatorit dhe atij të 26 nëntorit, Turqia ka mobilizuar menjëherë mundësitë e saj. Nga memorandumi i nënshkruar në korrik të këtij viti është vendosur që qeveria turke të ndërtojë mbi 500 banesa. Erdogan bëri të ditur shifrën e këtij projekti dhe tha se do të kushtojë 42 milionë euro.
“Pas tërmeteve që ndodhën në Shqipëri më 21 shtator dhe 26 nëntor, i mobilizuam menjëherë mundësitë tona. Pas tërmetit të Shtatorit, ne kemi dërgua 4 maune me ndihma humanitare. Po ashtu, pas katastrofës së tërmetit në Nëntor, krahas ndihmave të tjera ne morën vendimin të ndërtojmë shtëpi për vëllezërit tanë shqiptarë. Pavarësisht pandemisë në Korrik nënshkruam protokollin e memorandumit dhe filluam punimet. Ndërsa sot po realizojmë ceremoninë e hedhjes së themeleve për këto banesa që do të shndërrohen në një strehë të ngrohtë për të gjithë vëllezërit tanë shqiptarë. Shpresoj që ky projekt që përfshin 522 banesa dhe që do të kushtojë afërsisht 42 milion euro të jetë i dobishëm”, tha Erdogan.
Më tej Erdogan shtoi se, “këto shtëpi do të shërbejnë si një shenjë e re e miqësisë Turqi-Shqipëri. Shpresojmë që fazën e parë ta përfundojmë sa më shpejt, që t’ua dorëzojmë sa më shpejt vëllezërve tanë që kanë humbur banesat e tyre nga tërmeti”.
Ndërkohë më herët edhe kryeministri Edi Rama përshëndeti Presidentin turk, Erdogan dhe e falënderoi atë për solidaritetin e treguar pas fatkeqësisë së Shqipërisë.
Rama ka treguar një episod me të cilin është përballur gjatë kohës kur Turqia u godit nga një tërmet i fuqishëm.
Ai pohoi se shumë njerëz i kishin shkruar se tashmë Turqia do të hiqte dorë nga projekti për ndërtimin e 522 apartamenteve të reja në Laç, për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kryeministri tha se nuk e kishte menduar kurrë se do të ndodhte ajo gjë (braktisja e projektit të ndërtimit).
“Po e mbyll me një anekdotë të treguar. Kur tërmeti goditi Turqinë kam pasur disa njerëz që shkruanin se kjo do të kishte pasoja për projektin dhe do të bënte që ky shtet mos të kishte mendjen tek ky projekt. Unë i kam thënë se; ‘kjo nuk ndodh asnjëherë!’ Në raport me fatkeqësinë, nevojën, mes popujve tanë, funksionin siç thotë Mustafa Kemal Atatürk, i cili shprehet se: ’Bota është një organizëm, pjesë e të cilës janë të gjitha kombet’. Ata ndërveprojnë me njëri-tjetrin, kur secili prej tyre ka nevojë”, tha Rama nga Laçi.
Në zonën e Laçit ku është përqendruar projekti turk i rindërtimit, përveç apartamenteve, do të ndërtohen edhe 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare dhe njësi shërbimi.