Shqiptarët vazhdojnë të renditen mes dhjetë kombeve nga kanë ardhur më shumë azilkërkues për vitin 2018, thuhet në raportin vjetor të Agjencisë Evropiane për Monitorimin e Kërkesave të Azilit në BE, Zvicër dhe Norvegji.
“Venezuelasit, afganët, pakistanezët dhe shqiptarët e gjeorgjianët janë vendet prej nga kanë ardhur më së shumti kërkesa”, thuhet në Raportin Vjetor të Situatës së Azilit në Evropë të BE të botuar të hënën (24.06). Si shqiptarët ashtu edhe gjeorgjianët përbëjnë nga 3 për qind të numrit total të kërkesave thuhet në raport. Shqipëria zë vendin e nëntë me mbi 22 mijë aplikacione për azil, para Venezuelës dhe pas Gjeorgjisë.
Megjithatë numri i azilkërkuesve nga Shqipëria ka rënë në krahasim me vitin 2017, kur ky numër ishte mbi 26 mijë aplikacione. Në mesin e 30 vendeve kryesore, prej nga vijnë azilkërkuesit në Evropë, gjendet vetëm edhe një vend tjetër i Ballkanit, Serbia me mbi 6000 kërkesa për azil. Kosova nuk gjendet në këtë listë dhe në raport përmendet vetëm katër herë.
Numri i refugjatëve në BE bie në tërësi
Kërkesat e shqiptarëve janë kryesisht në Francë, por në këtë vend nuk janë në listën e 10 vendeve kryesore nga vijnë kërkesat. Ato shënojnë një rënie prej rreth 10 për qind. Numri i madh i azilkërkuesve nga Shqipëria shpesh është parë si një nga arsyet, pse Franca ka qëndrim të ashpër sa i përket çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë. Numri i madh i kërkesave të shqiptarëve në Francë është lidhur me ligjet liberale të këtij shteti dhe procedurat e gjata.
Në përgjithësi numri i azilkërkuesve ne Evropë është në rënie dhe është në shifrat para krizës në Lindjen e Mesme. Komisionari për Çështje të Brendshme dhe Qytetare, Dimitris Avramopulos ka thënë që “rënia e madhe e azilkërkuesve në Evropë është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta evropiane në të gjitha frontet. Tash ne jemi duke i menaxhuar kufijtë më mirë, kemi partneritet me vendet e origjinës dhe të tranzitit, kemi mbrojtur azilkërkuesit gjatë udhëtimit të tyre dhe jemi marrë me shkaqet e migrimit”./DW