Shkrimtari i madh shqiptar Dritëro Agolli ka ndërruar jetë.
Patriarku i letrave shqipe është shuar në moshën 85-vjeçare duke lënë një boshllëk të madh në jetën e kulturës shqiptare.
Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në fshatin Menkulas të Devollit, në Korçë. 13 vjet të jetës i ka kaluar në këtë fshat, ku në moshën 9-vjeçare përfshihet në Luftën Nacional Çlirimtare. Aty merr detyrën si korrier i çetave partizane.
Pas Çlirimit të vendit Agolli vazhdoi studimet në Gjirokastër në gjimnazin e këtij qyteti për katër vjet rresht. Ende në bankat e gjimnazit “Asim Zeneli” në Gjirokastër, ai boton në shtypin e kohës poezitë e para i frymëzuar nga Naimi dhe Çajupi, vjersha të cilat u botuan në 1947 në gazetën “Rinia”.
Këtu zuri fill edhe miqësia e tij me shkrimtarin e madh Ismail Kadare. Të dy së bashku në udhëtimin e tyre si krijues e ngritën letërsinë në nivele të larta të stilit. Agolli dhe Kadare i përkasin brezit të shkrimtarëve të viteve 1960, që shpëtuan letërsinë nga dogmatizmi i realizmit socialist.
Edhe pse shkruante vjersha, ëndrra e Dritëro Agollit ishte që të bëhej veteriner. Poeti dhe shkrimtari i madh e ka dashur shumë natyrën. Kafshët janë shpesh personazhe të krijimtarisë së tij.
Pas përfundimit të gjimnazit në Gjirokastër, ai bëri kërkesë për të vazhduar shkollën e lartë për Zooteknikë. Kërkesa për të ndjekur studimet për veterinari i dërgohet ministrit të Arsimit, Karahman Yllit, i cili kishte dëgjuar emrin e tij si poet.
Dritëro Agolli në të vërtetë është shkrimtari që ka bërë poezi për kecat, dhentë, dhitë, maçokun, qenin, kalin, lejlekun, viçin e lopën. Pavarësisht kësaj ëndrre, përfundimisht pas gjimnazit Dritëro Agolli u dërgua nga shteti me bursë për të studiuar në Shën Petërburg (në atë kohë kur Bashkimi Sovjetik ishte pjesë e kampit komunist Shën Petërburgut ia kishin ndërruar emrin dhe quhej Leningrad).
Në moshën 25-vjeçare Dritëro Agolli u kthye nga Bashkimi Sovjetik dhe nisi punën në Tiranë fillimisht si gazetar, ku u dallua për përkushtimin e tij ndaj njerëzve të punës. Ai u shqua për reportazhet e bukura e të ndjera për njerëzit e thjeshtë dhe punëtoret, cilësi që e bëri një njeri shumë të dashur për popullin.
Ka punuar për 15 vjet me radhë si gazetar i gazetës “Zëri i Popullit”.
Publicistika e tij është përbëhet nga mijëra artikuj, fejtone, ese dhe reportazhe. Reportazhet e Agollit gjatë kohës që punonte si gazetar janë përmbledhur para viteve 1990 në një vëllim të veçantë.
Krahas artikujve publicistikë, Dritëro Agolli nisi të botoj vëllimet e para poetike, tregimet dhe tekste dramatike për teatrot, të cilat u shquan për frymëzime e metafora të mrekullueshme.
Gjatë studimeve në Rusi, Dritëro Agolli u njoh me një studente ruse dhe pas njohjes me të ndodhi dhe martesa e tij e parë. Kjo martesë u bë në vitin 1956, kur sapo ishte kthyer në atdhe, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik.
Veprën e parë me vjersha “Në rrugë dolla”, Dritëro Agolli e botoi në vitin 1958. Është vëllimi i parë i cili u prit mirë nga kritika e kohës. Shquhet si një poet popullor dhe vet e pohonte se ishte i tillë.
Hymni që i ngriti baltës së vendlindjes dhe njeriut të thjeshtë shqiptar në poemën e tij të parë të viteve ‘60, në poemën “Nënë Shqipëri”, e bëri shkrimtarin shumë popullor.
Në shkolla kjo poemë studiohej si një hymn i patriotizmit dhe dashurisë për atdheun, pavarësisht se i kushtohej Partisë, temë që caktohej me orientim politik për të gjithë shkrimtarët e kohës. Madje presioni politik i kohës e detyroi shkrimtarin të ndahej edhe me gruan e tij të parë Ninën.
Pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik, Partia Komuniste propagandoi edhe divorcet e shqiptarëve të martuar me gratë ruse.
Me gruan e parë Dritëro Agolli pati një djalë Arjanin. U martua për të dytën herë në moshën 34-vjeçare me Sadijen, më 4 tetor të vitit 1965, me të cilën ka dhe dy fëmijë, Artanin dhe Elonën. Në Rusi, Agolli u kthye vetëm pas rënies së komunizmit, pas 31 vitesh që nga ndarja e tij me gruan e parë, ku pati një takim mallëngjyes me të birin.
Dritëro Agolli u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike, ka lëvruar këto gjini të letërsisë: poezinë, poemën, tregimet, novelat, romanin, dramën, skenar filmi, reportazhin, kritikën, analizën dhe raportin e lajmit.
Librat me poezi dhe poemat më të njohura të Agollit janë: “Në rrugë dola”, “Hapat e mia në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Devoll-Devoll”, “Mesditë”, “Baballarët”, “Nënë Shqipëri”, “Fjala gdhend gurin”, “Udhëtoj i menduar”. Pas 1990-s “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Njerëz të krisur”, “Vjen njeriu i çuditshëm”, “Lutjet e kambanës”, “Fletorkat e mesnatës”, etj.
Dritëro Agolli ka shkruar edhe tekste këngësh, madje duke marrë edhe çmime. Një ndër çmimet ishte ai i vitit 1971, kur këngëtarja Alida Hisku, 14 vjeçe, në festivalin e 10-të merr çmimin e dytë me tekstin e Dritëro Agolli “E Paharruara”.
Gjatë krijimtarisë letrare, në të gjithë veprën e Agollit vihen re shtatë tipare kryesore në të cilat mbështetet arti i tij. Kulti i tokës dhe i bukës, shenjtërimi i njeriut dhe natyrës, raporti personal me botën, miti i atdheut, historia e të parëve, zhgënjim për kohën dhe humbjen e saj, dhe e ardhmja optimiste. Agolli u cilësua si novator i poezisë shqiptare në gërshetimin që i ka bërë folklorit me poezinë moderne, duke sjellë perla lirike të gjuhës shqipe. Ndërkohë risi jo pak të rëndësishme Agolli solli dhe në metrikën e vargut.
Në jetën e shkrimtarit ka pasur shumë suksese, por edhe momente të hidhura, përveç ndarjes nga gruaja e parë dhe djali.
Në Kongresin IV të Komitetit Qendror, Agolli kalon një nga momentet më kritike. I duhej të bënte autokritikë si kryetar i Lidhjes dhe të sqaronte arsyet se përse pinte dhe ndonjëherë fliste “pa menduar”. Shkrimtari njihej si një karakter rebel.
Romani më i bukur i tij, “Shkëlqimi dhe Rënia e Shokut Zylo” i solli dhe jo pak andralla autorit. Një vit pas botimit, Mehmet Shehu i thotë Agollit se, “me atë libër na ke shkatërruar administratën”.
Agollit nga censura komuniste i janë ndaluar tri libra. I pari ka qenë “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitet 1960, drama “Mosha e bardhë” në vitet 1980 dhe një seri tregimesh në revistën “Nëntori”. Dy të fundit janë ndaluar gjatë kohës që ishte kryetar i Lidhjes.
Ai e botoi librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, në vitin 1964, por vetëm një vit më pas ky libër u hoq nga qarkullimi dhe Agolli u kritikua, pasi me këtë libër e paraqiste me pesimizëm realitetin komunist.
Nga romanet e Agollit janë bërë një sërë filmash artistikë. Ndër filmat më të mirë janë “I teti në bronz” (romani “Komisari Memo”), “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Njeriu me top”.
Shkrimtari i shquar, Dritëro Agolli, veç poezive, romaneve, tregimeve, ka shkruar edhe skenarë filmash.
Agolli është edhe autor i një sërë skenarëve për dokumentarë. Gjithashtu ka qenë edhe autorë dramash. Dy janë dramat më të njohura të Dritëro Agollit. “Mosha e bardhë”, e cila u ndalua nga botimi gjatë diktaturës, si dhe drama “Fytyra e dytë”.
Dritëro Agolli është i njohur dhe si përkthyes. Ka përkthyer nga anglishtja poezitë e poetit Robert Bërns dhe nga frëngjishtja poezitë e poetit Pol Elyear, i cili ka dhe disa poezi për Shqipërinë.
Ndërsa veprën më të madhe në përkthim Agolli e ka nga rusishtja. Botimi voluminoz, “Shekulli i artë”, është një nga më të arrirët artistikisht. Agolli ka përkthyer poetët më në zë të shekullit të 19-të në Rusi, si Pushkin, Ahmatova, Bllok, Lermontov dhe shumë të tjerë.
Për shumë vite Agolli ka dhënë kontribut edhe në zhvillimin e letërsisë shqipe.
Ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vjet. U emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992. Gjatë kohës së komunizmit, Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe deputet në disa legjislatura.
Nuk ndryshoi parti pas rënies së komunizmit, në vitet ai u bë ‘90 anëtar i Partisë Socialiste me shumicën e protagonisteve të ish-partise së së punës, por duke dhënë një kontribut të veçantë në reformimin e kësaj partie.
Për herë të fundit Agolli ka qenë deputet i Parlamentit për gjashtë muaj në vitin 2005. Dritëro Agolli është zgjedhur deputet për 30 vjet me radhë edhe në kohën e diktaturës, edhe dhjetë vjet në kohën e tranzicionit.
Vlerësimet
Dritëro Agolli cilësohet si një nga shkrimtarët më të mirë të të gjitha kohërave në letërsinë shqipe. Jo vetëm në antologjinë shqiptare, por ai tashmë është i përfshirë në antologjitë e disa vendeve të botës.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, veç çmimeve të tjera, është vlerësuar edhe me titullin e lartë, “Nderi i Kombit”. Është shpallur “Qytetar Nderi” i Tiranës në vitin 2003. Dritëro Agolli është fitues i katër çmimeve të Republikës dhe i disa çmimeve vjetore në letërsi. U pranua anëtar i Akademisë së Firences “Muzat” në Itali. Përveç qytetit të Tiranës, ai është “Qytetar Nderi” edhe i qyteteve të Korçës, Gjirokastrës etj.