Shqipëria i vjen përsëri në ndihmë Italisë. Pas dërgimit të 30 mjekëve muajin e kaluar, një tjetër grup mjekësh dhe infermierësh do të nisen sot drejt Italisë, për të ndihmuar në luftën kundër koronavirusit.
Manjola Rama, një nga infermieret që pritet të nisë misionin në Itali, u shpreh se janë një grup prej 60 mjekësh dhe infermierësh të cilët do të shkojnë për të dhënë ndihmën e tyre në vendin fqinj.
“Ne sot jemi mbledhur për një ndihmë për shtetin italian. Jemi rreth 60 infermierë, jo të gjithë të punësuar. Unë kam qenë zëvendësuese në QSUT, deri sa të presim radhën vendosëm që të ndihmojmë Italinë. Na kanë njoftuar dy javë më parë. E dimë që do kemi viruse dhe ne do të japim maksimumin si staf që jemi, dhe besoj që do dalim faqebardhë. Unë jam nënë me tre fëmijë, janë mërzitur. Nuk kemi bërë trajnim, por unë që kam punuar, e di si është puna, trajnimi, na kanë thënë që do trajnohemi atje dhe pastaj do fillojmë punë. Ne do të shkojmë në Romë, por spitalin e vendosin ato. Mesazhi është për të gjithë që të mbajnë distancë, rregullat e higjienës dhe do të dalim faqebardhë”, tha infermierja për Report TV
Pak javë më parë, Shqipëria dërgoi në Itali 30 mjekë dhe infermierë, të cilët po shërbejnë në frontin e parë të luftës kundër COVID-19 në spitalet e Breshias.
Pas grupit të parë, ky është grupi i dytë që do ndihmojë Italinë në luftën kundër COVID-19.
Mjekët dhe infermierët që do të japin kontributin e tyre në një spital në Itali, janë pjesë e 3 mijë vullnetarëve që iu përgjigjën thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për t’u bashkuar në luftën kundër COVID-19.