Politika “Shqipëria të mos jetë laborator për mjekë në Evropë”, Basha takon studentët...

“Shqipëria të mos jetë laborator për mjekë në Evropë”, Basha takon studentët e Mjekësisë

Reformë e thellë në shëndetësi që Shqipëria të mos jetë laborator prodhues për mjekë në Evropë. Këtë mesazh dha kreu demokrat, Lulzim Basha, në takimin me studentët e universitetit të mjekësisë, ku premtoi se programi i PD-së, parashikon financim dhe mbështetje për këtë sektor.

“Duhet reformë e thellë që të mos largohen mjekët. Programi ynë parashikon shpërblim për mjekët e infermierët, si dhe financim për të gjitha hallkat dhe financim për të mbajtur mjekët në vend dhe Shqipëria të mos jetë laborator për prodhimin e mjekëve në Europë”.

Basha kërkoi ndihmën e studentëve për të larguar nga pushteti shkaktarin e kësaj krize.

“Pas 7 vite dështim dhe kolaps në shëndetësi ka ardhur koha ta largojmë shkaktarin e kësaj situate dhe t’u japim mundësi. Na duhet ndihma juaj”.

Duke folur për situatën e pandemisë, Basha përsëriti akuzat ndaj qeverisë për masat e marra. Sipas tij mjekët dhe infermierët janë të pambrojtur, ndërkohë që mungojnë pajisjet mbrojtëse dhe të trajtimit për pacientët.

“Rekomandimet tona për ndërhyrje në shëndetësi, bien në vesh të shurdhër. Plani ynë me 5 pika është shembull i menaxhimit të shëndetësisë në kohë krize. Qeveria e vonuar, masat burokratike dhe të paqarta. Shëndetësia e Ramës, shëndetësi pa mjekë, pa infermierë. Spitalet nuk janë vetëm shtretërit. Mjekët dhe infermierët të pambrojtur, të braktisur. Karantina, muajt e verës u shpërdoruan nga qeveria. Mungojnë pajisjet mbrojtëse dhe pajisjet e trajtimit të pacientëve”.