Kryeministri Edi Rama ka reaguar për tubimin që mbajti në Athinë.
Në një shënim në rrjetet sociale përkrah Noizyt dhe Era Rusit, dy këngëtarëve që e shoqëruan në pallatin Galatsi, teksa falënderoi bashkatdhetarët për mikpritjen, Rama përsëriti edhe njëherë se ka ardhur koha për një kapitull të ri me Greqinë drejt paqes dhe prosperitetit.
Rama thotë se të gjithë ata që ishin të pranishëm në Stadiumin Galatsi, u bënë “shembëlltyra e një zemre gjigande shqiptare, që rrahu anembanë vendit fqinj”.
E pikërisht për këtë shëmbëlltyrë, Rama shprehet se e ka shfaqur Shqipërinë me “krenari dhe dëshirë e fortë për të hapur një kapitull të ri vëllazërimi, rendi europian e paqeje me prosperitet me Greqinë”.
“Para nisjes për Tiranë nga Athina, pas përjetimit në çdo qelizë të frymës së thellë të atdheut mes shqiptarëve të Greqisë dhe me ndjenjën më të hatashme të mirënjohjes, për të gjithë ata që u derdhën lumë drejt Stadiumit Galatsi, ku u bënë shëmbëlltyra e një zemre gjigande shqiptare, që rrahu anembanë vendit fqinj, duke e shfaqur sot Shqipërinë me të gjithë krenarinë legjitime të bijve e bijave të saj dhe me dëshirën e fortë për të hapur, sipas porosisë së Naimit tonë një kapitull të ri vëllazërimi, rendi europian e paqeje me prosperitet me Greqinë, ku realiteti i ri që ka krijuar afirmimi qytetar i shqiptarëve të Greqisë, si edhe realiteti i afirmuar i grekëve të Shqipërisë, na e ka vënë mu përpara syve ftesën e urtë për ta parë të shkuarën përmes të ardhmes, e jo më anasjelltas, nëse duam bashkarisht që më në fund, Shqipëria dhe Greqia të bëjnë për popujt e tyre, atë që popujt e tyre kanë bërë për njëri-tjetrin përgjatë historisë”, shkruan Rama.