Një shqiptar dhe katër italianë janë vënë në pranga nga skuadra e lëvizshme e Romës në një operacion të koduar “Shqiponja e zezë 2018”.
Operacioni i sotëm është në vijim të atij të bërë në gushtin e dy viteve më parë një rrjet të trafikut të kokainës nga Holanda në Itali dhe që çoi në burg disa shqiptarë.
I arrestuari i fundit është 42-vjeçari Alvaro Vyshka. Ai bënte pjesë në një organizatë kriminale të fokusuar vetëm te trafiku i kokainës dhe armëve. Droga merrej në Vendet e Ulëta dhe futej në Itali ku shpërndahej në sheshet kryesore të Romës.
Ata kishin në përdorim automjete të modifikuara ku kishin krijuar ndarje speciale të përshtatshme për fshehjen e kokainës dhe armëve. Hetimet vijuan edhe pas arrestimeve të mëparshme të 9 shqiptarëve dhe italianëve. Në pranga u vu kapoja i organizatës, Lulzim Daiu dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i tij, Artan Monari. Alvaro Vyshka kishte marrë përsipër kontaktet me furnizuesit e Daiut në Holandë dhe organizimin e importeve të shumta të kokainës që u shiteshin blerësve italianë.
Organizata kishte një flotë makinerish shumë të efektshme të modifikuara. Lënda narkotike transportohej me furgonë në sasi nga 15 deri në 50 kg, por edhe në sasi më të vogla dhe armë të ndryshme. Modifikimet e furgonëve u bënë në një servis në Madrid të Spanjës nga një organizatë e kolumbianësh të cilët u paguan nga 10 dhe 20 mijë euro dhe në disa raste edhe me kokainë.
Kolumbianët ishin specialistë në krijimin e dyshemeve të dyfishta në furgonë. Kokaina futej në qese më vakuum dhe mbështillej me shtresa kafeje ose speci djegës për ta bërë të pazbulueshme nga qentë antidrogë. Nga hetimet janë verifikuar një shkëmbim 10 kg kokainë në 26 Shtator 2017, 15 kg të tjerë kokainë tre ditë më vonë (më 29 Shtator 2019), dy dërgesa të tjera nga 15 dhe 20 kilogramë kokainë në 4 dhe 20 tetor 2017.
Në një dorëzim të pestë në 7 nëntor 2018, u arrestua Artan Monari me 27 pako me kokainë për një peshë prej 27 kilogramësh, rreth 60 mijë euro, armë, tre makina luksoze, dy prej të cilave me një ndarje sekrete.