Kryeministri Edi Rama, nga takimi i Beogradit, ripërsëriti thirrjen që Kosova të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, duke thënë se të gjitha shtetet janë të mirëpritura në këtë nismë rajonale.
Edi Rama krahasoi shqiptarët dhe serbët në Ballkan, sa i përket mosmarrëveshjeve, me francezët dhe gjermanët për Bashkimin Europian.
“Kur vjen puna për Kosovën, është thënë e rithënë, që të tria vendet janë të ftuara të vijnë të ulen dhe të punojnë bashkë me ne për njerëzit e tyre. Çështja e mosdakordësisë ka rrugën e vet. Nëse të 6 vendet marrin pjesë, atëherë edhe për Kosovën dhe Bosnjën do të jetë shumë më mirë atmosfera për të trajtuar edhe çështjet e tjera.
Shqiptarët dhe serbët janë për Ballkanin, si gjermanët dhe francezët për Europën. Gjermania dhe Franca nuk e filluan nga fundi, por nga marrëveshja e çelikut dhe e qymyrit, nga lehtësimi i punës së sipërmarrjeve, aty ku e ndjente populli pas luftës, te buka. Nuk ka asnjë kufizim për askënd”, tha Rama.