Ka nisur transportimi i 27 shtetasve shqiptarë të cilët prej ditësh kanë qëndruar në zonën neutrale mes Greqisë dhe Shqipërisë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Ndërsa 13 të tjerë, të cilët kanë pasur dokumenta greke dhe leje qëndrimi në Greqi janë rikthyer pas në tokën greke. Shtetasit të cilët do të karantinohen në hotel janë ata të cilët nuk kanë qenë rezidentë në Greqi dhe kanë qenë të pajisur vetëm me pasaporta biometrike.
27 shtetasit shqiptarë do të karantinohen për 14 ditë në një hotel në periferi të qytetit të Korçës. Hoteli është zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i Diasporës, i cili do të paguajë edhe shpenzimet e shqiptarëve përgjatë ditëve të qëndrimit në hotel. Ky këshill ka marrë disa oferta nga hotele të ndryshme dhe përfundimisht ka vendosur për një hotel të ndodhur në periferi të qytetit të Korçës, në një zonë e cila është e distancuar nga qendra e banuar. Këta shtetas do të qëndrojnë të izoluar për 14 ditë në hotel, me mbikqyrjen e policisë, që do të garantojë qëndrimin e tyre brenda hotelit 24 orë në 24.