Kosova “Shqiptarët janë gjakpirës”, Haradinaj shkarkon ministrin

“Shqiptarët janë gjakpirës”, Haradinaj shkarkon ministrin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar nga detyra këtë të martë Ministrin e Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviç,

Lajmin e bërë të ditur vetë kreu i qeverisë me atë të një postimi në rrjetet sociale.

“Sot kam marrë vendim për shkarkimin e Ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Teodosijeviç. Është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot kolegë i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviçit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi.  Kjo nuk arsyetohet. Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askë që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, shkroi Haradinaj.

Sipas mediave kosovare, Teodosijeviç, në ditën e 20 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, deklaroi se ai ishte një agresion ndaj Serbisë dhe se shqiptarët janë terroristë. Sipas tij masakra e Reçakut ishte trillim, dhe ishin terroristët shqiptarë ata që trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi.

Teodosijeviç tha në Zveçan se shqiptarët kanë bërë krime para agresionit të NATO-s; dhe gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit dhe pas ardhjes së misionit të ashtuquajtur paqësor në Kosovë.

Në fund të muajit Mars, Haradinaj shkarkoi nga detyra edhe zëvendësministren e Drejtësisë, Vesna Mikiç, pasi ajo tha se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.