Blendi Fevziu u shpreh para disa ditësh se pritej një rritje e konsiderueshme e çmimeve që do të prekte edhe Shqipërinë. Tashmë, kanë filluar të ndihen efektet e paralajmëruara më parë dhe po bëhet reale frika e shprehur nga ekspertët e ekonomisë.
Megjithatë, gazetari evidenton se në vendin tonë akoma nuk është kapur koncepti i kësaj lufte në epokën e globalizimit ku të gjithë jemi të prekshëm nga njëri-tjetri.
Blendi Fevziu: Shqiptarët mendojnë që janë shumë të mbrojtur nga lufta. E shohin si një gjë që ndodh atje larg, në kampin e refugjatëve. Në fakt ne jetojmë në një botë të integruar dhe do jemi të impaktuar direkt nga lufta. Të parët ata që e pësojnë nga lufta janë rusët vetë dhe pastaj ukrainasit kuptohet. Ukrainasit sepse lufta po zhvillohet në territorin e tyre, rusët sepse sanksionet do shkatërrojnë ekonominë, do shkojnë 50 vjet prapa me atë që Putini po iu bën.
Pjesa tjetër, impaktohet Europa. Ne do kemi rritje çmimesh të ndjeshme në ditët në vijim. Çuditem se si njerëzit nuk janë pak më alertë për të kuptuar se si kjo luftë çdo ditë që do zgjasë do rrënojë nga pak ekonominë. Do rriten çmimet e karburanteve, drithërave, energjisë dhe kjo nuk është vetëm në Shqipëri, është kudo në botë.
Duke qenë se efektet dhe kohëzgjatja e të gjithë dëmit ekonomik varet nga këmbëngulja e Putinit për të vazhduar luftën, Fevziu thotë se njerëzit duhet të fillojnë të marrin masa dhe të përgatiten për një jetë ndryshe nga ç’kanë njohur deri më tani.
Rudina Magjistari: Ç’domethënë të jesh i përgatitur sipas teje?
Blendi Fevziu: Do fillosh të jetosh me idenë që je në një luftë globale, që nuk është në kufijtë e Shqipërisë, por që na prek të gjithëve. Do fillosh të jetosh më me kursime, me kujdes, më i organizuar, më i racionuar në gjëra, jo në ushqim, por duke qenë më i kujdesshëm në shpërdorim. Sot nuk e kuptojmë dot, jam i sigurt që duke filluar nga çmimi i naftës një pjesë e shqiptarëve e kanë kuptuar, por kur të rriten dhe gjithë çmimet e tjera pak nga pak, do ta kuptojnë që kjo është një gjë dhe nuk ke zgjidhje.