Politika A ka shanse të pajtohet me Bashën? Ja çfarë thotë Berisha

A ka shanse të pajtohet me Bashën? Ja çfarë thotë Berisha

A do të ishte i gatshëm Sali Berisha dhe grupi i Rithemelimit të zhbënte Kuvendin e 11 dhe 18 dhjetorit për t’ju bashkuar një kongresi pajtimi me Lulzim Bashën?

Por për Berishën, kuvendet në radhë të parë nuk mund të krahasohen, ndërsa theksoi se kush dëshiron, të garojë me kënaqësi për kryetar dhe të pranojë votën e lirë.

“Nuk mund t’i krahasojmë. Nuk besoj se i del kush zot në atë seli përveç Jemin Gjanës dhe Lul Bravës njëri-tjetrit, ato turpërohen nga ai kongres. Të vijnë të garojnë me kënaqësi. Të pranojnë votën e lirë. Të garojnë për kryetar. Nuk kam asnjë lloj sentimenti negativ ndaj atyre që thonë se nuk e pranojmë Berishën. Nëse pranohet me votë, Berisha nuk mund të mohohet që luajti rolin e tij. Rikthimi nuk është dëshirë e një personi, rikthimi është proces dhe rikthimi në kushtet e mia, është i pazakontë”, tha Berisha.

Ndër të tjera Berisha tha se është një 77-vjeçar i ndëshkuar padrejtësisht nga DASH dhe prej 8 vitesh ishte i larguar nga çështjet e Partisë Demokratike, por rikthimi i tij ndodhe për arsye të veçanta.

“Mund të dëshiroja të kthehesha, dhe nuk mund të ndodhte. Ndodhi për arsye të veçanta. Këto arsye zgjidhen me votë të lirë. Mund të ketë plot që nuk e duan Berishën, por le të vijnë të votojnë kundër”, tha Berisha.

Ish-kryeministri thotë se është i hapur për bashkimin e Partisë Demokratike pas rezultateve zhgënjyese në zgjedhjet e 6 marsit.

“Shqiptarët votuan opozitën e vërtetë dhe jo turp-opozitën, opozitën false. Këto zgjedhje janë kambanë për demokratët, se duhet të bashkohemi, se ne po ecim të sigurt drejt fitores. Nuk ka njeri që të ketë hapur partinë më shumë se Sali Berisha.

Jam i hapur bashkimin, por të pranohet vota e lirë. Gjithçka është rezultat i votës së lirë. Unë nuk largoj njeri, unë afroj njeri, nëse njerëzit ikin vetë, ajo është punë tjetër.

ADN e PD ka qenë dhe mbetet PD. Nëse duan rrugën e fitores së PD, nëse e ndjejnë veten kandidatë për kryetar të PD-së, le të bashkohen, mbi bazën e votës së lirë”, – deklaroi Berisha në një intervistë në Syri TV.